E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëria transparente dhe lufta kundër terrorizmit

Ndoshta për ne njerëzit e medies - që klikojnë çdo ditë sajtet e internetit të botës – zhvillimi më interesant që ka ndodhur kohët e fundit është çka ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me publikimin e rreth 92 mijë dokumenteve sekrete të Pentagonit mbi luftën në Afganistan: nga janari i 2004 deri në dhjetor të 2009: pra si në administratën Bush, po ashtu edhe në atë Obama. Përhapja e këtyre dokumenteve sekrete përbën një rekord Gines për rrjedhjen në masë të informacioneve konfidenciale, çka solli një shqetësim të natyrshëm se zbulimi i informacioneve të ndjeshme nga fusha e betejës mund të sjellë probleme për individët apo operacionet.
Sajti i internetit që solli dokumentet është “Wikileaks”, i cili drejtohet nga aktivisti australian për të drejtat e njeriut Julian Assange, qenka specializuar në publikimin e dokumenteve ushtarake që janë top-secret. Me pak fjalë 90 mijë të dhëna na dëftejnë se lufta është një ferr - faleminderit shumë - dhe se lufta në Afganistan është shumë e vështirë. Mirëpo gazetaria e mirë tregon të reja të pathëna, thyen stereotipat, klishetë mbi betejat dhe ndihmon të vërtetën. Operacioni i Wikileaks kundër luftës në Afganistan nuk bën asgjë të tillë, përkundrazi rreth 90 mijë dokumente (ndofta klasifikohen shumë gjëra) ushqejnë ata persona që duan që SHBA-të dhe aleatët e saj që të kthehen në shtëpi, duke mos e luftuar terrorizmin botëror. Ajo certifikon atë çka kanë shkruar gazetarët; luftën në reportazhet e tyre. Dhe nuk besoj se administrata Obama nuk e dinte se këto dokumente ishin kaq delikate.
Afërmendsh nuk është aspak e rastësishme që përpara se të botoheshin në internet, njerëzit që menaxhojnë sajtin janë akorduar dhe me dy gazeta liberale (të Majta) dhe një të përjavshme të madhe botërore për të dhënë të gjitha informacionet: “New York Times” në SHBA, “The Guardian” në Britani dhe të përjavshmen gjermane “Der Spiegel”, që japin dhe anën më të errët të medaljes së konfliktit në Afganistan. Këto dokumente janë përshkrimi më gjithëpërfshirës për luftën e bërë ndonjëherë, e cila nuk ka përfunduar. Janë dokumente që mbulojnë mijëra incidente të ndryshme dhe në to jepen edhe vendndodhjet e sakta gjeografike të tyre. Bile është një informacion që vjen i gjithi i përmbledhur dhe që eklipson gjithë sa është thënë deri më tani për Afganistanin dhe luftën që po zgjat në këtë vend që prej 9 vitesh. Për shumë veta, dokumente të tilla ndryshojnë këndvështrimin për këtë luftë, jo vetëm në aspektin e luftës, por në tërësi për sa u përket të gjitha luftërave të kohëve moderne, në të cilat po jetojmë.
Në epokën para-moderne çka asht private dhe publike ishin të përziera: oborri hynte, me të gjitha kuptimet - në dhomën e gjumit të Mbretit; dhe të varfrit jetonin në shtëpi të vogla me shumë persona që flinin në të njëjtën dhomë ose në të njëjtin krevat. Shekulli i XX - është shekulli i alfabetizimit (dhe të leximit në vetmi) – pra afërmendsh shekulli i privatësisë. Ne dimë (pothuajse) gjithçka - ose kemi iluzionin se i dimë të gjitha - mbi historitë intime të Enverit dhe dyshes Nexhmije e Ramiz Alia, të historive me spec djegës të Edi Ramës me femrat e haremit të tij në Pezë, falë dhe akuzave të fundit të Ministrit Prifti. Po ashtu me dashje apo pa dashje mund të jesh mik në një faqe të rrjetit social Facebook, ku mund të humbësh me dëshirë një pjesë të privatësisë.
Gjithsesi në sferën publike transparenca ka të mirat e veta. Veç të mendoni që gjatë luftës së parë botërore censura ishte aq e fortë dhe e dhunshme saqë popullata e vendeve në luftë nuk dinin asgjë (të paktën nga shtypi) të humbjeve marramendëse të jetëve të ushtrive ë tyre. Qeveritë në perëndim, me arsye, vendosën se do të ishte e pamundur të vijohej me një luftë kaq të përgjakshme dhe se publiku të mos dinte asgjë. Kurse në Shqipëri pas vitit 45-së censura totalitare ishte aq e dhunshme saqë utopia negative e Oreullit u bë realitet, veç të mbani mend romanin e Kadaresë: “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” mbi kontrollin dhe transparencën e luftës së klasave. Holokausti që prodhuan shefat e mëdha karizmatikë të shekullit XX-të - Hitler, Stalin, biri i tij E.Hoxha dhe Mao Tse Tung - do të ishte i papranueshëm për botën e sotme.
Fotografitë e burgut iraken të Abu Gharaid praktikisht i dhanë fund përdorimit të torturës në Irak. Publikimi i dokumenteve mbi Afganistanin vjen fiks pas 40 vitesh kur u botuan nga gazetat amerikane “New York Times” dhe “Washington Post” të ashtuquajturat “Letra e Pentagonit” (Pentagon Papers) që zbuluan shumë nga gënjeshtrat zyrtare gjatë menaxhimit të luftës në Vietnam. Por çka të vjen në mendje direkt pas reagimeve të ekspertëve është se dokumentet e reja mbi Afganistanin është se: nuk ka asgjë të re. Të gjithë e kishin kuptuar se kishte lidhje klandestine dhe loja e dyfishtë e të shërbimeve sekrete te Pakistanit me talebanët e Mullah Omar; e dinin të gjithë se qeveria e Karzai është e korruptuar dhe nuk ndiqet nga populli; e dinin të gjithë se i vëllai i Karzai ishte i dyshuar se trafikonte opium; dhe po ashtu dinim për efektet anësorë në civilë të sulmeve të Natos. Konsiderata finale del se është paradoks “pasi kanë shpenzuar rreth 300 miliardë dollarë në Afganistan, studentët koranikë janë më të fortë tani seç ishin në 2001”.
Sidoqoftë një nga aspektet më të ngjethshëm të nxjerrë në pah nga këto dokumente është numri i madh i viktimave të pafajshme (sidomos shoferë që kujtoheshin se ishin kamikazë apo civilë që nuk “kurseheshin” në operacionet kundër Talibanëve). Shefi i Wikileaks e ka thënë në mënyrë të qartë: është një mënyrë për të thënë se lufta në Afganistan është një neveri. Pra, është një operacion së pari ideologjik sesa gazetaresk. Assange sheh zbulimet e tij “provat e krimeve të luftës”, gazeta britanike “the Times” shkruan se po ta shohësh botën prej këtyre dokumenteve ne shohim se si “lufta në Afganistan është e kotë”: nëse makina terroriste e Al-Kaidës dhe e Talibanëve mund të ndihmohet nga fushata e Wikileaks, në qoftë se gjeneralit Dejvid Petraeus dhe James Mattis duhet të ndjehen të izoluar për shkak të fushatës së Assange, atëherë do të ishte një rrezik për të gjithë botën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›