LSI: Shkarkimi i punonjësve të administratës shkel ligjin e nëpunësit civil
Luan Rama: LSI është pro zgjidhjes së çështjes çame
Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë kundër lëvizjeve të fundit të ndodhura në administratë pas largimit të saj nga koalicioni qeveritar. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se largimet e njerëzve nga puna e administratës së pari janë në shkelje të ligjit për nëpunësin civil dhe së dyti shkelje e marrëveshjes elektorale që këto dy parti patën për zgjedhjet vendore të 2011.
Deklarata
“Vetë Kryeministri Berisha ka theksuar që punonjësit e administratës janë punonjës të shtetit, ka theksuar domosdoshmërinë e respektimit të kontratës të punës së tyre në raport me Kodin e Punës dhe me Ligjin e Shërbimit Civil dhe nga kjo pikëpamje çdo qëndrim tjetër jashtë kësaj fryme bie ndesh me parimet për të cilat është investuar edhe koalicioni qeverisës gjatë këtyre katër viteve në përbërje të cilës ka qenë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, tha Rama.
Ndryshimet në KQZ
I pyetur në lidhje me konfigurimin e KQZ-së, pas aleancës PS-LSI, Rama tha se ky është një problem ligjor e kushtetues. Për konfigurimin apo raportet brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky është një problem ligjor, kushtetues dhe ne do ti qëndrojmë asaj frymë të artikuluar edhe në raport me të gjithë zhvillimet politike në vend edhe nga Kryeministri Berisha, që Kushtetuta i ka parashikuar të gjitha çështjet drejt dhe në përputhje me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe me të gjitha aktet që normojnë të gjithë veprimtarinë e KQZ-së apo të gjitha trupave zgjedhore, deklaroi Luan Rama.
Rezoluta çame
Duke u ndalur tek zgjidhja e çështjes çame, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se forca politike ku ai bën pjesë ka qenë pro zgjidhjes së kësaj çështjeje që kohë më përpara. Në vlerësimin tonë çështja çame është një çështje e rëndësishme që lidhet me çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Ne e kemi përcaktuar qartë qe jemi pro zgjidhjes së saj në përputhje me të gjitha dokumentet evropiane që rregullojnë çështje të tilla, këtë e kemi bërë të njohur sa herë ka qenë e rastit, madje që kur Meta ka qenë kryeministër, u shpreh, Luan Rama.
Koalicioni PS-LSI, dorëhiqen Prefekti i Durrësit dhe ai i Fierit
Me pranimin e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe administratën publike. Ditën e djeshme kanë paraqitur dorëheqjen prefekti i Fierit, Robert Bitri, si dhe ai i Durrësit, Genci Alizoti. LSI në total ka marrë nga koalicioni me PD-në drejtimin e rreth 33 posteve të rëndësishme. LSI përfaqësohej në Ekzekutiv me postin e zëvendëskryeministrit, ministrin e Ekonomisë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtëm. Po ashtu, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta mori shtatë poste zëvendësministrash në Ekzekutiv, në disa prej sektorëve më të rëndësishëm, siç janë Ministria e Arsimit, Punës, Transporteve, Ekonomisë, Integrimit dhe Bujqësisë dhe Punëve të Jashtme.