E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta çame e miratuar në 2004? Debate në komision, reagon Servet Pëlumbi

Deklarata e kryetarit të komisionit të jashtëm, Fatos Beja se në vitin 2004 është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë një rezolutë për zgjidhjen e çështjes çame por që nuk është botuar në fletoren zyrtare ka shkaktuar debate të ashpra në komision.

Të gjendur përpara një deklarate të tillë, dy deputetët e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri kanë kërkuar sqarime në lidhje me miratimin e kësaj rezolute.

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integritet dhe Unitet Shpëtim Idrizi, e ka cilësuar si të papranueshme atë që ka ndodhur në vitin 2004.

Ndërsa deputeti i  PDIU-së Dashamir Tahiri ka kërkuar ndjekje penale për kryetarin e kuvendit të asaj kohe Servet Pëllumbi duke u shprehur se ka falsifikuar vullnetin politik.

Ndërkohë mbledhja e komisionit të jashtëm është mbyllur në pritje të një vendimi zyrtar nga kryetarja e kuvendit nëse ka apo jo një rezolutë të miratuar në 2004-ën dhë nëse po si do të procedohet më tej.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i ish-kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi i cili ka mohuar ekzistencën e një rezolute të miratuar për zgjidhjen e çështjes çame.

“Jam i hapur për çdo hetim lidhur me këtë çështje.  Nëse do të ishte miratuar rezoluta atëherë ajo do të ishte botuar në fletoren zyrtare. Miratimi ose jo i rezolutës mund të vërtetohet në arkivat e Kuvendit. Nuk kam asnjë brengë në ndërgjegje,”  ka deklaruar Pëllumbi në një reagim telefonik për  RTV Ora News.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›