Meta opozitë me Berishë, aleancë me Lulzim Bashën
LSI bashkon me PD-në në Këshillin Bashkiak të Tiranës
Edhe pse Partia Lëvizja Socialiste për Integrim vendosi largimin nga qeveria me Partinë Demokratike dhe daljen në opozitë, përfaqësuesit e saj në pushtetin lokal po vazhdojnë ti qëndrojnë besnik marrëveshjes me PD-në për këshillat bashkiak. Kështu në mbledhjen e djeshme të këshillit Bashkiak të Tiranës, këshilltarët e LSI-së bashkuan votat me ata të maxhorancës duke votuar pro grantin prej 7 milionë eurosh që qeveria e Katarit ka dhuruar për financimin e projektin për zgjatimin e Bulevardit të madh Dëshmorët e Kombit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, që mban firmën e studios Grimshaë Architects LLP, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar. Në mbledhjen e djeshme nuk munguan as debatet mes këshilltarëve të majtë dhe kryebashkiakut Lulëzim Basha. Në fjalën e tij hapëse, Basha vlerësoi dy projektet të rëndësishme për Planin Urbanistik të Tiranës si dhe për zhvillimin e kryeqytetit. Këshilltari i majtë Aldrin Dalipi në emër të socialistëve ka sulmuar Planin Urbanistik të Tiranës duke akuzuar kryebashkiakun Basha për klientelisëm dhe fushatë elektorale. Tirana është mbushur me ndërtime pa leje, që jo vetëm e kanë vënë në pikëpyetje planin por edhe besimin e qytetarëve. Plani ishte për efekte klienteliste dhe elektorale po shtoi dhe interesa te tjera. Plani Urbanistik nuk është gjë për tu mburrur pasi është plan klientelist. Ne kemi qenë kundër buxhetit pasi nuk ka qenë transparent dhe nuk na është dhënë asnjë informacion, tha Dalipi. Si replikë, kryebashkiaku Basha hodhi poshtë akuzat duke theksuar se këshilltarët e majtë po parashtrojnë arsye politike me qëllim mosvotimin e vendimeve. Sipas Bashës Plani Urbanistik i Tiranës është bërë në transparencë të plotë pasi është diskutuar për tre muaj rresht me qytetarët edhe grupet e interesit. Në përfundim Këshilli miratoi me 29 vota pro, asnjë kundër dhe 20 abstenime propozimet e sjella nga Kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha.