Pensionistët, nga sot 640 lekë për dritat
Nertila Maho
Pensionistët nga sot, bashkë me pensionin do të marrin edhe shtesën 640 lekë për kompensimin e energjisë elektrike. Sipas njoftimit të ISSH, në sportelet ku ndahet pensioni, rreth 82 mijë familjarë do të përfitojnë edhe kompensimin e ri, 140 lekë më shumë për energjinë. Edhe pse çmimi i dritave u rit nga 1 janari i këtij viti, Qeveria e miratoi vendimin e saj për shtesën e kompensimit në fillim të prillit. Kështu, familjet që përfitonin mbrojtje nga rritja e çmimit të energjisë do të merrnin 640 lekë në muaj kompensim, nga 500 lekë që merrnin më parë. Dje ISSH, njoftoi se kanë përfunduar të gjitha llogaritë dhe do të fillojë kompensimi i ri. Bashkë me kompensimin e majit, pensionistët do të marrin edhe paratë shtesë, që duhet të ishin ndarë që nga janari. Kështu, me një llogari të thjeshtë, bashkë me 640 lekët që i takojnë kompensimit për majin, ata do të marrin edhe 140 lekë për çdo muaj që nga janari, ose edhe 560 lekë më shumë. Sipas vendimit të Qeverisë, përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat si dhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura.
Si u llogarit kompensimi
çmimi i energjisë për bandën deri në 300 kilovat është rritur nga 7 lekë në 7.7 lekë. Pra, rritja është 7 lekë për kilovat. Sipas formulës së vendimit, kompensimi për 200 kilovatët e parë do të bëhet për shtesën 0.7 lekë për kilovat, ose në një total prej 140 lekë në muaj. Kjo shumë u shtohet 500 lekëve që kategoritë i merrnin si kompensim që nga viti 2006. Në total kompensimi që do merret në janar shkon në 640 lekë në muaj. Me një llogari tjetër, një familje që konsumon 200 kilovat, duhet të paguajë 1540 lekë në muaj. Kësaj shume i shtohet edhe TVSH dhe në total fatura e muajit shkon në 1848 lekë. Nga kjo shumë, Qeveria kompenson 640 lekë dhe pjesa që duhet të paguajnë shtresat e subvencionuara është 1208 lekë në muaj.
Vendimi
Kush përfiton
1. Kompensimin për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, për nivelin e konsumit 200 kw/orë, për:
a) Familjet, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik, ose të vetëpunësuar në sektorin privat.
b) Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat.
c) Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura.
ç) Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.
2. Kompensimi për familjet bëhet vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, që kanë pagë nën 35 mijë lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.
3. Përfituesit që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse ku përfituesi merr pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit personal të përfituesit. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht, për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi.
4. Përfituesi i kompensimit, në zbatim të pikës 3 të këtij vendimi, detyrohet ta kthejë përfitimin e padrejtë dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.
5. Masa e kompensimit, për çdo përfitues është 640 (gjashtëqind e dyzet) lekë në muaj dhe efekti financiar do të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2010.