E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI Te mblidhet sa me pare tryeza e partive per reformen zgjedhore

“Zhvillimi i zgjedhjeve të 8 majit dhe veçanërisht raporti i OSBE-ODHIR-it për këto zgjedhje shtroi nevojën e fillimit, sa më parë, të reformës zgjedhore.

Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se tryeza e partive për këtë reformë zgjedhore duhet të mblidhet me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pra në shtator të këtij viti”.

Kështu u shpreh sot gjatë një konference për shtyp, zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto.

Duke shtuar se “është e domosdoshme që procesi i reformës zgjedhore të jetë gjithëpërfshirës ndaj partive politike dhe i hapur ndaj shoqërisë civile”.

“Pjesëmarrja konstruktive, veçanërisht pjesëmarrja e opozitës, në këtë proces është treguesi më i mirë për gatishmërinë dhe vërtetësinë e çdo force politike për të realizuar standardet më të larta zgjedhore.

Ne vlerësojmë gjithashtu se amendimet kushtetuese nuk lidhen dhe nuk mund të kondicionojnë reformën zgjedhore.

Një kondicionim i tillë do të përbënte vetëm një alibi të re, nga ana e opozitës, për mosangazhim në një proces normal të dialogut politik.

Është tashmë evidente se reforma zgjedhore, bashkëpunimi dhe dialogu politik për të janë elementë të rëndësishëm të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në vjeshtën e këtij viti.

Prandaj, angazhimi i çdo force politike në reformën zgjedhore është një kontribut i drejtpërdrejtë i saj për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, përfundoi ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›