E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Vasili: Buxheti i Bashkisë, i Ramës jo i qytetarëve

Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI Vasili deklaroi sot se Rama kërkoi të miratohej buxheti i tij personal dhe jo ai i Bashkisë. LSI e ka konsideruar si arrogancë sjelljen e Kreut të Bashkisë gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit. 

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim e ka konsideruar si arrogancë sjelljen e Kreut të Bashkisë Edi Rama, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit. Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili deklaroi sot se Rama kërkoi të miratohej buxheti i tij personal dhe jo ai i bashkisë. “U përballën me një Kryetar Bashkie arrogant, i cili deklaroi haptas që në minutën e parë të diskutimit të tij se nuk negocion asnjë shifër, nuk pranon të diskutojë asgjë për buxhetin dhe përfundimisht të gjithë qytetarët kuptuan që për Ramën ky nuk është buxheti i qytetarëve, por është buxheti i tij personal”-ka thënë Vasali përpara mediave.
Ndërkohë, LSI ka reaguar edhe në lidhje me shembjen e ndërtesave të banorëve në Jalë, duke theksuar se ky skandal është denoncuar 2 vjet më parë nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vasili tha se Masat e Bankës Botërore për ta pezulluar projektin janë shumë të forta. LSI ka kërkuar dorëheqjen e koordinatorit të projektit, i cili është njëkohsisht dhëndëri i Kryeministrit Berisha, në të kundërt qeveria të marrë masa për shkarkimin e tij.
Në emër të LSI-së, Vasili i ka bërë thirrje qeverisë të evidentojë të gjithë dëmtimin e shkaktuar ndaj pronave të banorëve të Jalës dhe të marrë masa të menjëhershme për zhdëmtimin e tyre. (e.n/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›