E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, akuza të rënda ndaj Edi Ramës

Tiranë (Start)-E ndërsa partitë e djathta lajmërojnë bashkim midis tyre, krejt e kundërta ndodh në kampin e majtë ku partitë po shtojnë gjithnjë e më shumë diferencimet midis tyre. LSI ka ka denoncuar sot shpërdorimin dhe abuzimin e pashembullt me pushtetin, të demonstruar në mënyrë violente nga kryetari i Bashkisë dhe i PS-së, Edi Rama dhe sulmin e e tij personal ndaj kryetarit të Njësisë Bashkiake nr.3, Ilir Kokona duke ju vërsulur e dhunuar pronën e tij dhe i çoroditur nga ethet e hakmarrjes politike po sillet si në ditët më të zeza të diktaturës së Berishës së vitit 1992-97. Më këto tone është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili gjatë një konference për shtyp shtoi se “Edi Rama ka vënë në funksion të hakmarrjes së tij politike pushtetin bashkiak, duke dhunuar e abuzuar me pronën, ligjet dhe jetën e njerëzve vetëm e vetëm se Kryetari i Njësisë 3 si dhe mijëra socialistë të tjerë nuk mendojnë si ai dhe ka bërë zgjedhjen e tij politike dhe prandaj Rama nuk ngurron të sillet me te duke u paraqitur më Berishë se Berisha vetë”.

Sipas Vasilit, Rama u kërkon atyre të manipulojnë votat dhe shiten për interesat e tij, i dhunon, i përzë, u mbyll gojën dhe i trajton më me egërsi dhe mllef, më keq se Berisha vetë.

“Ky kryetar bashkie dhe kryetar i PS është për sot dhe nesër një rrezik evident dhe i madh për demokracinë. Dhuna dhe shantazhi edhe ndaj medias dhe fjalës së lirë të denoncuara publikisht edhe nga shumë gazetarë dhe drejtues të njohur të medias, të ndërmarra gjerësisht dhe në mënyrë të paskrupullt nga Rama, në kushtet e panikut, konfuzionit, kapjes së plotë, si dhe të zhgënjimit masiv të socialistëve e bëjnë atë që të sillet me ta më Berishë se Berisha vetë”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›