E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do ‘vëmë dorë’ në fshat

Dajç (start)- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në vijim të Dialogut me Shqipërinë, është ndaluar në fshatin Mushan të komunës Dajç. Rama iu premtoi banorëve se shteti do të rikthejë vëmendjen tek fshati, nëse do të vinte në pushtet. “Është e qartë se sot fshati është kthyer në një hapësirë tërësisht të braktisur nga shteti dhe të pushtuar nga varfëria, papunësia, nga problemet e rënda sociale. Fshati sot është një hapësirë ku mungon prania e shtetit, dhe ku kthetrat e varfërisë e papunësisë kanë mbërthyer të gjitha familjet në fshat”-deklaroi Rama para banorëve.

Rama tha se me ardhjen në pushtet, do të ndërtonte një bashkim të ri mes shtetit, bujqve dhe fermerëve shqiptar.

“Është e pamundur që ne të jetojmë nën një qeverisje, e cila e ka braktisur fshatin, prodhimin, njerëzit e punës dhe çdo hapësirë ku shteti duhet të jetë prezent dhe ku mungesa e shtetit është një tradhti ndaj interesave të njerëzve, qytetarëve, e atyre që kanë votuar për ta pasur shtetin në krahë dhe jo kundër, që kanë votuar për ta patur shtetin ndihmë dhe jo pengesë, që kanë votuar për ta patur shtetin pranë në çdo moment vështirësie dhe jo për t'i hapur vështirësi”- tha ndër të tjerash kreu i partisë socialiste Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›