Leskaj: Berisha, mos e zvarrit Kodin
Socialistët e konsideruan dje absolutisht, jo serioz qëndrimin e fundit të Kryeministrit Berisha lidhur me Kodin Zgjedhor. Në një kohë, që sipas tyre, Parlamenti nuk duhet të vonojë në asnjë mënyrë procesin e zbatimit të Kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, konstatoi se vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë Presidentit, nuk duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e Kryeministrit. Ajo i kujtoi kreut të qeverisë se e ka për detyrë të nxisë zgjidhjen për të garantuar një zbatim rigoroz të Kodit Zgjedhor, duke filluar nga ngritja e menjëhershme e administratës qendrore zgjedhore dhe jo të bëjë cicmic duke luajtur me fjalë për të bërë diversion ndaj Partisë Socialiste. "Nëse Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste, ky nuk është problemi ynë", tha Leskaj. Sakaq, vijoi ajo, Kryeministri nuk duhet të ngatërrojë detyrimin madhor ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtarë për një reformë zgjedhore konsensuale dhe të zbatuar ashtu si duhet, me politikën e tij të vjetër të ditës. "Po ashtu, Kryeministri nuk duhet të ngatërrojë dosjen e spiunëve me dosjet e Gërdecit e të Lulëzim Bashës", u shpreh Leskaj. Selia rozë nënvizon se nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e mazhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë. Ndërsa konfirmon se është gati të japë konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropat e korrupsionit qeveritar. Drejtuesja e lartë e Partisë Socialiste shprehu gatishmërinë e partisë që drejton për të kontribuar e dhënë konsensus për një ligj të ri që forcon pavarësinë kushtetuese e financiare të prokurorisë. "Që rrit efektshmërinë e saj në hetimin e krimit e të korrupsionit, por kurrsesi për një ligj që e kufizon pavarësinë e organit të akuzës dhe prodhon trysni mbi prokurorët", tha Leskaj. Socialistët shprehen se Kryeministri dhe mazhoranca kuvendore nuk duhet ta bëjnë lëmsh axhendën kombëtare të dy reformave të mëdha. Ndërkohë që e para, ajo elektorale, sqaroi Leskaj, mund dhe duhet mbyllur menjëherë, pasi koha nuk pret. "E dyta, reforma në drejtësi, nuk mund dhe nuk duhet mbyllur në rrethin vicioz të interesave politike të palës që qeverisë. Pasi kështu thjesht nuk mund të bëhen reforma", u shpreh Leskaj.