E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI denoncon probleme e shfaqura në numërimin e votave

Zëdhënësi i Partisë Socialiste për Integrim, (LSI) Ralf Gjoni ka ngritur shqetësimin për disa incidente problematike, të hasura gjatë procesit të numërimit të votave. Në mënyrë të veçantë, LSI ka parë shqetësuese faktin e numërimit të ngadaltë të votave në pjesën më të madhe të qarqeve. Në këtë kontekst, zëdhënësi Gjoni ka përmendur edhe shkeljen e afatit ligjor të vendosur nga KQZ, i cili skadoi në orën 17:00 të pasdites së djeshme, ku qytetarëve u ishte premtuar dhënia e rezultateve përfundimtare brenda këtij orari, ndërkohë që ende nuk ishte arritur kuota e 50% të qendrave të votimit. Kuptohet që ngadalësimi i vazhdueshëm i numërimit do të rezultojë në lodhjen e mëtejshme të komisionerëve dhe vëzhguesve si dhe në rritjen e tensionit përgjatë natës së gjatë, nënvizoi ai, duke shtuar se shqiptaret votuan me dinjitet e me qytetari të jashtëzakonshme, ndërsa shteti shqiptar nuk është në gjendje tu përgjigjet me të njëjtën etikë. Ndër të tjera, zëdhënësi i LSI, përmendi një sërë problemesh të tjera, duke u ndalur në komunën Bulgarec, Qarku Korçe, konkretisht QV 3732, QV 3726, QV 3729 ku ditën e djeshme ishin bllokuar kutitë e votimit të këtyre qendrave nga numëruesit e LSI-së. Kjo ndërprerje sipas Gjonit kishte ndodhur sepse në listat e votuesve u konstatua se nuk ishin shënuar numrat e dokumenteve të identifikimit. Për këtë parregullsi, LSI-ja ka njoftuar menjëherë vëzhguesit e OSBE/ODIHR, duke shtuar faktin se në këto qendra është votuar hapur në kundërshtim me kodin zgjedhor. Ndër të tjera, zëdhënësi i LSI ka denoncuar edhe mosfillimin e procesit të numërimit të votave prej 9 orësh në Paskuqan, që sipas Gjonit kjo gjë ka ndodhur pa asnjë justifikim apo argument, ndërkohë që ka shtuar se qendra e numërimit të votave ishte e rrethuar nga forca të shumta të policisë. Një tjetër problem LSI ka shfaqur edhe në njësinë bashkiake nr. 10 Tiranë, që ndodhet pranë sheshit Avni Rustemi ku ishte bllokuar numërimi i fletëve të votimit, pa asnjë arsye. Duke marrë si shembull vendet evropiane, ku sipas tij numërimi i votave dhe dhënia e rezultateve realizohet brenda një hapësire kohore shumë të shkurtër, Shqipëria, vend anëtar i NATOS me aspirime për tu integruar në Bashkimin Europian, ende qëndron larg standardeve bashkëkohore të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›