E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI dhe PSD, kundër ligjit të lustracionit



Dy parti të majta u pozicionuan dje kundër ligjit të ri të lustracionit që parashikon verifikimin e figurave të zyrtarëve nga e kaluara komuniste. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialdemokrate ndanë të njëjtin qëndrim dje për këtë ligj, i cili ka hyrë tashmë në fuqi. Sipas kryetarit të KDK-së të LSI-së, Edmond Haxhinasto dhe nënkryetarit të PSD-së, Engjëll Bejtaj, ky ligj prek të drejtat e njeriut. “Ligji i lustracionit është goditja më e fundit që kjo mazhorancë i bën ligjshmërisë në vend. Kundër këtij ligji tashmë janë shprehur partnerët tanë ndërkombëtarë, Freedom House dhe vetë Këshilli i Evropës i cili është gardiani i standardeve demokratike në kontinentin tonë dhe më gjerë”, - tha Haxhinasto i LSI-së. Sipas tij, ligji nuk është bërë për t’u zbatuar, por “është bërë vetëm për t’u përdorur në mënyrë selektive nga mazhoranca e sotme si një mjet presioni për të frikësuar e intimiduar prokurorë e gjykatës të cilët po hetojnë aferat korruptive të kësaj qeverie”. Ndërkohë, ai sqaron se LSI-ja është parimisht dakord për një ligj të tillë, por ai që ka hyrë në fuqi “ka kompromentuar qëllimin e tij kryesor që konsiston në masat për të çinstaluar trashëgiminë e sistemit të mëparshëm totalitar”. Në këtë mënyrë LSI-ja ka zgjedhur rrugën e apelit politik ndaj mazhorancës në pushtet që të mos e zbatojë më tej ligjin. Haxhinasto tha: “I bëjmë apel kësaj mazhorance të ndalojë menjëherë tendencat në rritje për cenimin e lirive e të drejtave të shqiptarëve dhe të mos rendojë më tej barrën ekonomike mbi ta nëpërmjet keqmenaxhimit që po i bën buxhetit të shtetit”. Ndërkohë, PSD-ja u është referuar kritikave që kanë ardhur nga ndërkombëtarët për këtë ligj, duke dhënë argumentet e saj kundër tij. “Ligji e fut Shqipërinë në një konflikt të hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe BE-në dhe institucione të rëndësishme që punojnë në mbrojtje të demokracisë”, - u shpreh Engjëll Bejtaj, nënkryetar i PSD-së. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i këtij ligji është mbulimi i krimeve të bëra gjatë këtyre viteve nga Berisha dhe mbështetësit e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›