E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ngre institutin e studimeve të krimeve të komunizmit



Komisioni do të përbëhet nga 7 anëtarë

Në komision dhe një anëtar i ish-të përndjekurve

Krimet e komunizmit do të zbardhen nga 7 anëtarë të institutit që do ngrihet për krimet e kryera në kohën e diktaturës. Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të sistemit komunist në Shqipëri, anëtarët e të cilit do të zgjidhen nga Parlamenti. Por ata do të jetë vetëm 7 anëtarë, mes të cilëve tre përfaqësues të pozitës, tre nga opozita, ndërkohë që të shtatin mazhoranca pritet t’ia ofrojë shoqatës së të përndjekurve politik një vend për në këtë komision. Ky vendim u mor të mërkurën, por Këshilli i Ministrave nuk e bëri publik pasi pritet të diskutohen dhe disa nene të tij para se të shkojë në Kuvend. Në projektligjin e ri parashikohet dhe mënyra e funksionimit. Ai studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist. Identifikon aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist; studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit; instituti analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij, në rrafshin historik.

Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist; evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar, censurën e artit, kulturës, shkencës, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, kartave të ushqimit, urisë së krijuar dhe pasojave të saj. Autoriteti i tij ka për detyrë të të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist; të publikojë e të përhapë materiale të shkruara në letër e rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri; bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përvojës lidhur me objektin e punës së Institutit;

Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve për informacion të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e këtij sistemi në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›