E Diel, 1 Nëntor 2026

Luzhjana Abazaj: Ja gabimet e buxhetit të Ramës në njësinë nr. 6



Kryetarja e njësisë bashkiake nr. 6 në kryeqytet, Luzhjana Abazaj, i ka bërë thirrje edhe një herë kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të reflektojë sa më parë në drejtim të hartimit të projektbuxhetit të bashkisë së kryeqytetit. Sipas kryetares së kësaj njësie, Abazaj, janë fakte të shumta të cilat po zbardhen dita-ditës nga të gjithë drejtuesit e njësive bashkiake në kryeqytet, që flasin për faktin se ka një mungesë transparence të theksuar në drejtim të realizmit të investimeve të parashikuara për vitin e kaluar. Ndërkohë që sipas saj, “përsëri në projektbuxhetin e këtij viti që është rrëzuar nga votat e këshilltarëve, kjo transparencë është përsëri e munguar”. Abazaj tregon me fakte që në këtë buxhet janë përfshirë edhe tri rrugë, për të cilat është investuar që në vitin 2003 nga kooperacioni italian. Bëhet fjalë për segmentet rrugore "Llazi Miho", "Llambi Bonati", "Hamdi Cenoimeri". Duke folur për mediat pranë njërës prej rrugëve, Abazi ka thënë: “Kjo është një ndër rrugët që Rama e ka parashikuar në projektbuxhetin e tij, të rrumpallës do ta quaja, të cilën e ka vënë për sistemim dhe asfaltim. Si kjo rrugë, që quhet "Llazi Miho", ai ka vënë në "Thuaje fjalën tënde" në projektbuxhetin, që e ka paraqitur në takim me popullin, jo vetëm këtë rrugë, por edhe dy rrugë të tjera, "Llambi Bonati" dhe "Hamdi Cenoimeri", të cilat janë kryer nga kooperacioni italian në vitin 2003. Unë shtroj pyetjen se çfarë do t'iu bëjë këtyre rrugëve më zoti Rama me projektbuxhetin e vitit 2009-të?” Ndërkohë që sipas Abazajt, “në këtë projektbuxhet janë parashikuar edhe investime të cilat kjo njësi bashkiake i ka të mbyllura në investime nga bashkëpunimi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit”. Duke replikuar me Ramën për çështjen e mendimit të komunitetit në shpërndarjen e investimeve, ajo kujton shqetësimin e komunitetit të Kombinatit lidhur me çështjen e sheshit "Garibaldi", të cilin ata nuk pranuan ta betonizojnë. Për këtë çështje Abazi ka treguar këmbimin e mesazheve në telefon me kreun e baskisë, Rama, i cili i kthen përgjigje fyese ndaj shqetësimit të banorëve. Edi Rama shkruan në sms-në e tij: "Thuaju atyre injorantëve të shohin pjacat e lagjeve të Italisë dhe të Spanjës e të mos hanë m... kot", - duke i kthyer përgjigje kryetares së minibashkisë, e cila i ka përcjellë shqetësimin e banorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›