LSI dhe jo PS, alternativë e së majtës së vërtetë

Deklaron kreu i LSI-së, Ilir Meta në Elbasan
TIRANE - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka atakuar sërish lidershipin e Partisë Socialiste për krizë identiteti, duke theksuar se forca që ai drejton është përfaqësuesja reale e së majtës.
“Lëvizja Socialiste për Integrim është alternativa e mirëqenies, alternativa e të majtës së vërtetë progresiste. Po vjen dita që të ndahemi nga tranzicioni me dy partitë e vjetra dhe të shkojmë me fitore në këto zgjedhje”, deklaroi Meta, gjatë një takimi të zhvilluar dje struktura të kësaj partie në qytetin e Elbasanit.
Më pas lideri i LSI, Meta zhvilloi një takim edhe më simpatizantë dhe anëtarë të kësaj force politike në Gramsh, ku dhe është prezantuar kandidatin e LSI-së për deputet, Enver Roshi. Duke iu kundërvënë deklaratave të kryesocialistit Edi Rama për një shumicë të re politike përtej ndarjes tradicionale politike, Meta tha se “në 29 qershor nuk do të ketë as qeveri përtej së majtës dhe së djathtës por do të ketë një Qeveri të majtë dhe progresiste”.
Meta foli edhe për atë çka do të ofrojë qeverisja e LSI pas 28 Qershorit dhe ka vënë theksin në punësimin e shqiptarëve dhe politikat që do të ndjekë kjo qeverisje për të rimëkëmbur ekonominë e sidomos bujqësinë, e cila sipas tij sot gjendet në krizë.
“Një nga arsyet e krizës në bujqësi është se nuk ka politika rregulluese dhe mbështetëse nga ana e qeverisë. Kjo bën që Shqipëria të varfërohet çdo ditë, sepse për 1 euro që ne eksportojmë produkte ushqimore, blegtorale apo bujqësore, importojmë 10 euro. Kjo do të thotë që ekonomia jonë shkon poshtë dhe familjet shqiptare kanë marrë tatëpjetën”, tha Meta.
Kreu i LSI tha se, problemi kryesor që ballafaqohet me varfërinë dhe që e mund atë është punësimi. Ndaj, Meta theksoi edhe një herë punësimin jetik, si një ndër elementët kryesorë të programit qeverisës të LSI.
“Do të thotë se çdo familje që nuk ka asnjë të ardhur t’i ofrohet një mundësi për të punuar në programe që do të bëhen për nxitjen e investimeve publike pranë komunitetit, me një plan afatshkurtër”, tha ai.
Ndërkohë në një plan afatgjatë dhe afatmesëm, sipas kryetarit të LSI, do të zbatohen politika stimuluese fiskale, që konsistojnë në tatim zero për çdo biznes të ri që krijohet, për tre vitet e para, dhe lehtësira për bizneset ekzistuese për çdo vend të ri që ato hapin.