E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet “rivalja” e Greta Koçit

 

Mesa duket në rastin e dy motrave Koçi vërtetohet plotësisht shprehja “Bëj mama të të ngjaj”. Afërdita, e ëma e këngëtares shumë të pëlqyer për momentin, Greta Koçit, e cila e do shumë këngën, madje ka edhe vetë një zë të mirë, ka besuar gjithmonë, që po të punojë shumë e bija një ditë do të bëhet këngëtare shumë e mirë, dhe ia ka dalë. Greta e cila u shfaq për herë të parë në publik rreth katër vite më parë tek programi “Ethet”, gjeti shtigje të tjera për t’u lançuar si këngëtare. Që në fillim zgjodhi këngë të mira për të hyrë në treg dhe suksesi nuk vonoi. Kompozimet e reja dhe klipet e herë pas hershme bënë që vajza shkodrane edhe pse në moshë të re, të spikasë në tregun e tejmbushur me këngëtarë. Aleatët e saj në këtë sukses kanë qenë prindërit, të cilët e shoqërojnë në çdo aktivitet. Dhe ja ku është sot, në prag të shtatëmbëdhjetë vjetorit të saj, me një album të suksesshëm dhe disa klipe që kanë tërhequr gjithmonë vemendjen për idenë dhe performancat e këngëtares. Greta sot ka një axhendë të mbushur me koncerte, por pa lënë asnjëherë mbas dore përgatitjet për këngë dhe klipe të reja. Sipas informacioneve tona, këngëtarja kësaj vere ka të prenotuar çdo ditë të javës, me koncerte në çdo cep të Shqipërisë, nga Velipoja në Sarandë. Ndërkohë, paparaci ynë fare rastësisht e ka fiksuar me aparatin e tij. Këngëtarja siç e shihni edhe nga fotot, duket e impenjuar në disa prova baleti së bashku me disa të rinj të tjerë si dhe me këngëtarin e njohur dhe të pëlqyer nga të rinjtë, Stine. Siç e kemi shkruar edhe më herët, Greta Koçi ka përgatitur një këngë të re në duet me Stine dhe thuhet se xhirimet e klipit do të fillojnë këto ditë. Meqë klipi do të ketë shumë balet, përgatitjet kanë startuar në një palestër. Thuhet që klipi do të jetë gati brenda gushtit në mënyrë që të gjithë adhuruesit e Stines dhe Gretës të kenë mundësi ta shijojnë atë brenda kësaj vere. Kënga flet për një çift të rinjsh, të cilët janë zënë me njëri-tjetrin për arsye të disa thashethemeve dhe një nga frazat që të mbetet në kujtesë është “Kush të foli keq për mua/ vetëm Zoti e di se sa të dua”. Një temë aktuale dhe shumë e prekshme për realitetin ku jetojmë”.
Po pse e përmendëm Enin në krye të shkrimit? Gjatë provave rrinte vazhdimisht afër  Gretës, një vajzë me trup të imët e cila ngjante shumë me të. Më pas morëm vesh se ajo quhet Eni, është 12 vjeçe dhe është motra e vogël e këngëtares. Por Eni mesa duket nuk e ka ndërmend të prezantohet më gjatë para njerëzve, thjesht si motra e një këngëtareje të njohur, por si Eni Koçi, një këngëtare që pret të bëjë bumin e saj të parë në muzikë vetëm pas pak javësh. Eni thuhet që ka po aq talent sa e motra në të kënduar dhe për koinçidencë edhe ajo po prezantohet para publikut në të njëjtën moshë si Greta. Por në ndryshim nga e motra e cila ishte shumë e zhvilluar në trup për moshën e saj, Eni duket që ka ekzakt fizikun e moshatareve të saj, por të veçantë e bën zëri në të kënduar, i spikatur që në pjesmarrjet e saj në festivalet e fëmijve ku u vlerësua edhe me çmime, por ra në sy edhe të specialistëve të muzikës. Tani prindërit e saj mendojnë se edhe Enin e pret një karrierë e shkëlqyer, pasi ndryshe nuk ka se si shpjegohet gjithë ajo punë e madhe që ato po bëjnë me vajzën e vogël, e cila ka një zë shumë të ngjashëm me të motrën. Gjatë muajit gusht edhe Eni pritet të paraqitet para  publikut me një klip, ndërkohë që kënga audio ka përfunduar. Interesant është zgjedhja që ajo ka bërë për t’u prezantuar për herë të parë. Një këngë me temë sociale e cila ka në qendër fëmijët jetimë, të cilët nuk ndjejnë pranë dashurinë e prindërve të tyre. “Ti zgjate një dorë dhe fort ma shtrëngo/ Se zemra i thotë kështu qenka kjo botë/ Ke qenë edhe ti dikur si unë fëmijë/ Mos lejo që shpresat të vdesin në sytë e tij”. Këto janë disa nga vargjet e këngës të shkruara nga këngëtarja e njohur Rozana Radi. Një tekst prekës i cili në gojën e një vajze fare të re (e cila për fat e ka të pafund dashurinë e të afërmve të saj), do të krijojë shumë emcion. Teksa lexon këto vargje dhe i imagjinon ato të kënduara, menjëherë të shkon mendja tek një këngë e realizuar rreth 20 vite më parë nga këngëtarja e mirënjohur Parashqevi Simaku e cila preku gjitë publikun në ato vite, por edhe sot teksa këndonte “Mos ia u prekni lumturinë/ Mos ua prishni dashurinë/ Askush mos të guxojë/ Se nënat s’ua lejojnë”. Një mesazh dashurie në një botë ku nuk falet shumë dashuri është jo vetëm një ogur i mirë për fillimin e karrierës së Enit, por pa dyshim edhe një sukses i pritshëm. Thuhet se Eni dhe Greta kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe fakti që, Greta tashmë e ka gjetur rrugën e suksesit, ia bën pak më të lehtë rrugën Enit, vajzës që pritet të jetë surpriza, por edhe zbulimi muzikor i kësaj vere.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›