E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spartak Ngjela - Debulesa ime? Gazetaret

Klotilda Harka 

Avokat Spartak Ngjela në një intervistë për “Panorama Plus” tregon sekretin e mashkullit vital, shtegun e ri që ka menduar në politikë me drejtimin e një partie të re, dhe debulesën për femrat gazetare.
Ju jeni edhe avokat, edhe deputet njëherësh. Kjo dihet tani. Por, duke e lënë tagrin e deputetit, si avokat, cila mendoni se do të ishte një çështje në këtë realitet, që do të bënit të pamundurën për ta mbrojtur?
Po ta shihni me vëmendje politikën dhe politikanët e botës perëndimore, do të konstatoni se avokatia dhe politika janë shumë afër me njëra-tjetrën. Dhe prandaj nuk është e rastit që, në këta njëqind vitet e fundit, edhe parlamentet, edhe qeveritë dominohen nga juristët dhe avokatët. Prandaj, duke u nisur nga kjo rrjedhë, e cila ndodh të jetë e tillë, sepse politika duhet të udhëhiqet nga ligji, mbrojtjet para gjyqit, që bën një avokat dhe debatet parlamentare, janë thuajse e njëjta retorikë. Jeta politike është debat, por një debat që ka ardhur nga avokatia: sepse të dyja krahët e debatit, zhvillohen nën kontekstin e akuzës dhe të mbrojtjes. Prandaj, nisur nga kjo konsideratë, le të kthehemi te pyetja juaj: Cila do të ishte kauza që kisha dëshirë të mbroja në këto momente? Unë them se ajo që do të më përshtatej më shumë do të ishte mbrojta e ministrit të Jashtëm, në lidhje me rrugën Durrës-Kukës.
Po një person apo çështje që kurrë nuk do të rrezikonit?
Çështjen e Gërdecit nuk do ta mbroja.
Jeni nga të paktën politikanë që diskutimin mbi problemet e ngrini mbi analizën? Keni menduar ndonjëherë se e teproni?
Jo, do vijoj me këtë mënyrë. Është e vetmja mënyrë që më përshtatet: ta analizoj fenomenin, dhe pastaj ta trajtoj sesi mund të kapërcehet, nëse ai ka qenë një fenomen negativ. Mendoj se nuk është një metodë e dobët ose e paarsyeshme. Racionalizëm do të thotë, analizë dhe sintezë.
Në rrugët që duhet të ecësh për të bërë politikë, ka një shteg që ju ende nuk e keni shkelur?
Mund të këtë shumë shtigje, por ato duhet t’i gjesh. Mendoj se ndërkaq më me interes do të kisha drejtimin e një partie politike, dhe këtë jam duke e bërë.
Lajmi i fundit në shtyp, që ju ka bërë përshtypje?
Arrestimi i Karaxhiçit.
Libri që po e lexoni për momentin?
Eshtë libri më i fundit i Francis Fukajamës, ky që shihni mbi tryezë “Falling Behind”, në të cilin shprehen diferencat e ndryshme në hendekun midis politikës amerikane dhe vendeve të Amerikës Latine. Sapo e kam nisur, por ajo që po më bën përshtypje, është mënyra e organizmit të këtij libri. Janë analizat më të spikatura të kësaj çështjeje, që janë bërë në kohë, dhe vlerësimi i autorit për to.
Duhet të dalim tani në një natyrë tjetër pyetjesh, dakord?
Po mund të vijojmë.
Le të flasim për martesën. Nëse martesa nuk do të ekzistonte më, si mund të rregullohej marrëdhënia në çift?
Martesa është rrjedhojë e marrëdhënieve në çift. Prandaj, nëse nuk do të kishte marrëdhënie në çift, nuk do të kishte as martesë. Çiftimi mes sekseve të kundërta, është substanca e këtij qytetërimi, madje i të gjitha qytetërimeve. Nuk besoj se do të ndryshojë kjo lloj marrëdhënieje, për aq kohë sa të mos ketë ndryshuar mënyra e riprodhimit të species sonë. Por unë nuk jam në gjendje ta parashikoj ose të flas për këtë lloj gjendjeje.
Me kalimin e viteve mashkulli humbet nga qenësia e tij, apo fiton?
Mashkulli nuk humbet nga qenësia e tij, nëse nuk vuan nga ndonjë sëmundje kronike. Ky lloj mashkulli, nëse ka qënë i tillë, nuk i humbet tiparet mashkullore, por i rrit edhe më tej ato; veçse, duke rënë potenca seksuale, i rritet potenca e intelektit. I pari këtë e ka thënë Sokrati, në apologjinë e gjyqit të tij të famshëm. Por kjo tanimë është e provuar.
Keni menduar ndonjëherë për femrat politikane në Shqipëri, dhe në çfarë konkluzioni keni dalë?
Ende nuk kanë spikatur femrat më përfaqësuese. Më intelektualet e më të mprehtat, nuk janë në politikë, por në gazetari. Besoj se do të vijë koha që raporti të ndryshojë në favor të politikës. Partia e re që unë po ndërtoj, do të jetë e para që do të ndikojë në lidhje me ndryshimin e këtij raporti.

Pasioni i avokatit për femrat e njohura të ekranit

Nuk i pëlqen të flasë për këtë fakt, pasi qenia e tij në politikë e bën të jetë paksa i ndrydhur për të folur për çështje që nuk kanë të bëjnë pikërisht për politikën. Por avokat Ngjela, krahas pasionit për të bërë analiza politike në foltoren e Parlamentit, preferon edhe artin. Prandaj ai shpesh ftohet në evenimente të ndryshme artistike. Fotot që ilustrojnë shkrimin e dëshmojnë më së miri këtë fakt. Dhe kur vjen puna për të qenë pranë femrave të bukura, nuk ka preferencë moshe. Ato mund të jenë Ingridi dhe Çiljeta, të cilat janë këngëtare të reja, por edhe Manjola Nallbani dhe Rajmonda Bulku, gra me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›