E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gjirokastrës, vetëdorëzohet në polici bashkëpronari i "Arti” sh.p.k.



Bashkëpronari i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., Aristotel Haxhi, përgjegjëse për tragjedinë e Gjirokastrës, ku humbën jetën tre persona, u dorëzua ditën e djeshme në polici. 30-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga prokuroria e rrethit, pasi firma e tij po punonte për ndërtimin e godinës së re pranë pallatit pesëkatësh, që u shemb të dielën në lagjen “11 janari” të qytetit, duke shkaktuar tre të vdekur, disa të plagosur dhe 20 të pastrehë. Haxhi pas shpalljes në kërkim nga policia kishte arritur që t’i shmangej arrestimit. Ai qëndronte i fshehur në një zonë të periferisë së qytetit, nga ku kishte arritur që t’u shpëtonte agjentëve. Megjithatë, duket se në mëngjesin e ditës së djeshme, ai ka vendosur që të dorëzohet vetë në komisariat, nga ku do t’i nënshtrohet hetimeve në lidhje me tragjedinë e ndodhur të dielën. Kështu, numri i të arrestuarve për tragjedinë e Gjirokastrës shkon në 10. Ata akuzohen si përgjegjësit kryesorë për ngjarjen e ndodhur më 9 nëntor, nga ku humbën jetë një 38-vjeçare dhe vajza e saj 12-vjeçare, si dhe një grua 65 vjeçare. Sipas hetimeve paraprake, shkak i kësaj tragjedie ishte shkarja e dheut, e cila solli dhe shembjen e pallatit. Ngjitur me ndërtesën 5-katëshe, firma “Arti” sh.p.k., kishte filluar nga puna për ndërtimin e një pallati të ri, ku ishin hapur themelet, të cilat shkaktuan edhe rrëshqitjen e dheut.

Rreth paradites të së dielës, një pjesë e pallatit 5-katësh ra, duke zënë nën gërmadha banorët e tij. Nga kjo ngjarje pati rreth tre të vdekur dhe 20 të plagosur, 5 prej të cilëve me fraktura. Nisën menjëherë hetimet dhe u kërkua arrestimi i përgjegjësve. Në prangat e uniformave blu kishte rënë një prej bashkëpronarëve, Sotiraq Janora. Përveç tij, në prangat e policisë ranë edhe tetë persona të tjerë. Këta ishin punonjës të firmës, inxhinierë, si dhe punonjës në Bashkinë e qytetit të Gjirokastrës. Pas hetimeve paraprake të kryera, Policia e Shtetit nisi një aksion për të vënë në pranga të dyshuarit si shkaktarë të kësaj ngjarjeje. Vetëm disa orë pasi ndodhi ngjarja, në prangat e policisë ranë dy projektuesit e firmës “Arti” sh.p.k., Luan Bufi dhe Njazi Çobani. Në pranga ranë gjithashtu Admir Shehaj, Afërdita Papamihali, Thanas Llahana, Jani Ndrico, Alfred Mamani e Gjergji Meçe. Sipas hetuesve, shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë shkarja e dheut, e cila ka ardhur si pasojë e hapjes së themeleve të një pallati tjetër, ngjitur me atë të shembur. Punimet e pallatit po bëheshin nga firma ndërtuese “Arti” sh.p.k. Vetëdorëzimi i Haxhit çon në 10 numrin e personave të arrestuar nga policia në lidhje me tragjedinë e Gjirokastrës.

Të arrestuarit e tragjedisë së Gjirokastrës

1. Admir Shehaj, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër

2. Afërdita Papamihali, sekretare e KRRT-së pranë Bashkisë së Gjirokastrës

3. Thanas Llahana, inxhinier gjeolog

4. Alfred Mamani, shef i urbanistikës në bashkinë e qytetit

5. Jani Ndrico, ekskavatorist në firmën “Arti” sh.p.k.

6. Njazi Çobani, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

7. Luan Bufi, inxhinier ndërtimi i “Arti” sh.p.k.

8. Sotiraq Janora, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

9. Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k.

10. Aristotel Haxhi, bashkëpronar i firmës “Arti” sh.p.k.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›