E Diel, 1 Nëntor 2026

Duçkallari: “Qeveria, presion bizneseve në prag të fushatës elektorale”



Partia Demokracia Sociale denoncon klimën aspak pozitive të shkaktuar nga qeveria në drejtim të bizneseve të mëdha në vend.
Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, akuzoi qeverinë dhe Ministrinë e Financave se po ushtron presion ndaj bizneseve, në prag të fushatës elektorale. “Trajtimi që qeveria po i bën biznesit, veçanërisht tatim-paguesve më të mëdhenj në vend, lë hapësira për abuzime dhe keqpërdorim. Duke grupuar në një dorë të vetme shqyrtimin e ankesave apo kërkesave të biznesit të madh, Ministria e Financave rrezikon të shndërrohet në një organ presioni për ato kompani, që “nuk sillen mirë”. Në një vit elektoral, ky veprim është shqetësues, ndaj zbatimi i tij duhet të jetë sa më transparent dhe në bashkëpunim të plotë me tatim-paguesit më të mëdhenj të vendit”, - tha Duçkallari. Ai i bëri gjithashtu thirrje qeverisë që të marrë masa ndaj krizës që kërcënon ekonominë e vendit. “PDS ka kërkuar dhe kërkon nga qeveria të nisë menjëherë zbatimin e masave anti-krizë, duke kërkuar edhe konsensusin e opozitës për zgjidhje të rëndësishme për vendin. Ne duhet të shmangim, që duke u ndodhur në një vit elektoral, të mbyllim sytë dhe të zgjohemi vetëm atëherë kur pasojat e krizës ekonomike do të jenë të rënda”, - tha sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›