E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja, marrëveshje koalicioni me partinë e romëve dhe egjiptianëve



Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit me partinë “Toleranca e re e Shqipërisë”, që përfaqëson dhe mbron të drejtat e komuniteti rom dhe egjiptian në Shqipëri.
Marrëveshja e nënshkruar nga lideri i LSI-së, z. Ilir Meta dhe nga kryetari i Partisë “Toleranca e re e Shqipërisë”, Avdi Keçi, synon respektimin e këtyre komuniteteve në vendin tonë. Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, Meta u shpreh se me këtë marrëveshje u jepet mundësia për herë të parë këtyre komuniteteve që të kenë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. “Është kënaqësi për të qenë sot përpara jush me drejtuesit e Partisë Toleranca e Re, që mbron dhe përfaqëson të drejtat e komunitetit rom dhe egjiptian në vendin tonë, pikërisht duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për koalicionin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mendoj se është një hap i rëndësishëm në politikën shqiptare pasi një Shqipëri europiane nuk mundet të jetë vërtet e arrirë pa realizuar integrimin e pakicave në vendin tonë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një Shqipëri europiane nuk mund të ngrihet duke u bazuar mbi përjashtimin, i cili, për fat të keq, është tepër prezent sot. Pa dyshim që strategjitë e bëra deri tani për integrimin e këtyre komuniteteve, për zgjidhjen e problemeve të mëdha sociale, që nga strehimi, arsimimi dhe punësimi, kanë mbetur në letër. Ndaj është ‘Koha për veprim’ për të integruar këto komunitete, këta qytetarë të vendit tonë si të barabartë”, - tha Meta.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›