E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja ndryshon për herë të dytë kabinetin qeveritar



Eljona Ballhysa
Fill pas dorëheqjes së kryetarit të LSI-së Ilir Meta nga postet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është mbledhur dje Kryesia Qendrore e kësaj partie, e cila ka miratuar emrat e ministrave të rinj të qeverisë. Kjo është hera e dytë që Lëvizja Socialiste për Integrim kushtëzon ndryshimet në kabinetin qeveritar. Në shtator të vitit 2010, shkarkimi i Dritan Priftit nga posti i ministrit të Ekonomisë solli ndryshimin e parë për këtë mandat të qeverisë “Berisha”. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shënua ndryshimi i dytë i kabinetit qeveritar për shkak të largimit të Ilir Metës. Kryesia e LSI-së ka miratuar dje emrat e dy ministrave të rinj. Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, do të mbajë njëkohësisht edhe postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa Nasip Naço, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të Kuvendit, është miratuar nga Kryesia e LSI-së për të marrë postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës. Në vend të Naços, në postin e nënkryetarit të Kuvendit, është miratuar Vangjel Tavo. Këta emra pritet të marrin së shpejti “bekimin” e kryeministrit Berisha dhe më pas të miratohen në seancë parlamentare.
Vendimi
“Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim u solidarizua plotësisht me qëndrimin qytetar, të përgjegjshëm dhe me standarde të një lideri politik europian që mbajti kryetari i saj, z. Ilir Meta, duke dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet shtetërore që mbante dhe e mbështet atë në të gjithë këtë lëvizje dhe me angazhimin e tij për të vazhduar më me këmbëngulje dhe pa kompromis luftën kundër krimit të organizuar”, - është shprehur dje përfaqësuesi i lartë i LSI-së, Luan Rama, fill pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LSI-së. Më tej Rama ka konfirmuar edhe njëherë angazhimin e LSI-së për të bashkëpunuar dhe për të kontribuuar për vendin si pjesë e koalicionit qeverisës. “Kryesia, duke qenë në union të plotë me qëndrimin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, rikonfirmoi edhe një herë me shumë përgjegjësi mbështetjen dhe angazhimin për të vazhduar edhe më me vendosmëri kontributet e saj në përbërje të koalicionit qeverisës”, - është shprehur Luan Rama. Më tej ai bëri të ditur vendimin e Kryesisë për emërimin e dy ministrave të rinj në kabinetin qeveritar. “Kryesia e LSI-së miratoi edhe propozimet për ndryshimet në qeveri. Duke propozuar që në vijim, z. Edmond Haxhinasto, aktualisht në postin e ministrit të Jashtëm, të jetë edhe zëvendëskryeministër në qeverinë që drejton z. Berisha. Ndërkaq, në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës propozohet z. Nasip Naço, aktualisht nënkryetar i Kuvendit, ndërsa në postin e nënkryetarit të Kuvendit propozohet deputeti i njohur Vangjel Tavo. Këto propozime u miratuan me unanimitet të plotë nga Kryesia”, - bëri të ditur dje Rama.

Berisha: “Me Metën do të bashkëpunoj për të fituar Bashkinë e Tiranës”

Kryeministri Berisha ka përshëndetur dje dorëheqjen e parevokueshme të zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Ndërsa ka vlerësuar kontributin e Metës në qeveri, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave, kreu i qeverisë tha se do të vazhdojë bashkëpunimin me LSI-në dhe kryetarin e saj për të fituar Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 8 majit. “Pra, zoti Meta dha dorëheqjen. Unë rashë dakord të pranoj dorëheqjen e tij dhe natyrisht diskutuam gjerësisht për angazhimin e mëtejshëm të këtij koalicioni; së pari fitoren e sigurt të zgjedhjeve lokale dhe natyrisht shpëtimin e Tiranës nga njeriu që e ka shndërruar këtë kryeqytet në betonin e klaneve që e udhëheqin, që e detyrojnë, që e kanë peng. Kështu që koalicioni vazhdon me objektivat e tij të palëkundura në rrafshin e integrimin, në rrafshin politik, në rrafshin ekonomik dhe në rrafshin social”, - është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se “ky është koalicioni më i suksesshëm në historinë e vendit, ky është koalicioni më eficient që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë vend”. Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij, akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për përdorimin e çimkave, si një metodë e vjetër e regjimit komunist. “Dua të theksoj një aspekt tjetër. Ata që u përpoqën të përdorin videon, Edvin Kristaq Rama, që bëri çdo gjë që me atë video të rikatonte kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe zëvendëskryeministrin duke i ofruar postin e kryeministrit, duke i bërë çdo lloj oferte, por në këtë përballje, fatkeqi Rama, kryeçimka mjerane e vendit, nuk kuptonte se cili është dallimi midis burrit dhe çimkës, këtu i gabojnë llogaritë atij. Larva e bunkerit të Bllokut nuk mund të realizonte dot se tjetër është burrëria dhe karakteri, tjetër është çimkëria dhe larva e bunkerit. Pra nuk ia arriti. I rezistoi me një vendosmëri të plotë një bande, një kupole mafioze që ka ngërthyer kreun e Partisë Socialiste, një aleance puniste mafioze, kryesuar nga Rama, të përbërë nga Doshët dhe grupi i bosëve të krimit, të drogës dhe parave të pista”, - është shprehur Berisha.

Edmond Haxhinasto

Edmond Haxhinasto, i propozuar për postin e zëvendëskryeministrit, është diplomuar për Gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës. Më pas ka ndjekur studimet pasuniversitare për Administrim Biznesi në Slloveni, në vitin 1996. Në vitin 2000 përfundoi një “Master” për Politikën Publike nga Shkolla e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare “Woodrow Wilson”, universiteti “Princetown” në Nju Xhersi. Nga korriku 2000 deri në tetor 2001 ka shërbyer si këshilltar diplomatik pranë kryeministrit. Gjatë periudhës nëntor 2001 - korrik 2002 ishte i ngarkuar i Përhershëm me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd. Gjatë periudhës gusht 2002 - shtator 2003 shërbeu si shef Kabineti në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga muaji prill 2004 - maj 2005 shërbeu si këshilltar i zotit Ilir Meta, në cilësinë e këtij të fundit si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin. Gjatë periudhës 2009 - shtator 2010 shërbeu në detyrën e zëvendësministrit të Transportit dhe Punëve Publike. Që prej 16 shtatorit 2010 shërben si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Nasip Naço

Nasip Naço, i propozuar nga LSI-ja për postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është diplomuar në vitin 1992 në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë. Në vitet 1992-1994 Naço ka mbajtur postin e prokurorit të sektorit në Prokurorinë e rrethit Berat. Nga viti 1994-1997 Naço ka qenë avokat pranë Dhomës së Avokatisë në Berat e Tiranë. Nga viti 1997-1998 Naço ka qenë drejtor i Shërbimit Informativ (SHIR) të Ministrisë së Brendshme. Nga viti 1998-1999 Naço ka qenë prokuror pranë zyrës së prokurorit të Përgjithshëm. Më pas, në vitet 1999-2000, ai ka mbajtur postin e shefit të sektorit kundër akteve terroriste dhe krimeve kundër personit, pranë zyrës së prokurorit të Përgjithshëm. Më 2002-2004 Naço ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor. Më 2004-2005, prokuror në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar pranë zyrës së prokurorit të Përgjithshëm. Në qershor të vitit 2009 zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë, nën siglën e LSI-së dhe që prej shtatorit të këtij viti deri tani, Naço ka mbajtur postin e nënkryetarit të Kuvendit.

Komisioni Europian: Të hetohet biseda Meta-Prifti

Komisioni Europian përsëriti edhe një herë thirrjen drejtuar autoriteteve të Drejtësisë shqiptare për të hetuar mbi vërtetësinë e bisedës Meta-Prifti. Në emër të KE-së ka reaguar sërish dje zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle, Natasha Butler, e cila ka thënë se i takon Drejtësisë shqiptare që të hetojë mbi këtë bisedë.
“Siç e thashë dhe të mërkurën, këtu po flitet mbi pretendime. Nga çasti i njohjes me to e deri tani, ato nuk janë konfirmuar ende dhe u takon autoriteteve vendase që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me sistemin ligjor shqiptar. Siç e thashë dhe të mërkurën, do t’i referohesha të njëjtit qëndrim përsa i takon kësaj, por dhe aspektit tjetër mbi rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit dhe procesit të zgjerimit me Shqipërinë”, - është shprehur Butler.
Vetëm pak ditë më parë, Butler theksoi se “lufta kundër korrupsionit është pjesë e kritereve politike për anëtarësim dhe në fakt paraqet kriterin kyç të 12 prioriteteve që KE-ja paraqiti për Shqipërinë në raportin e fundit. Komisioni parashtron nevojën për gjurmë konkrete provash, me hetime, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha nivelet zyrtare”.

15 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›