Rama: “Populli të përdorë çdo mjet kushtetues për të rrëzuar qeverinë”
Eljona Ballhysa
Asambleja e Partisë Socialiste vendosi të rinisë më 21 janar valën e re të protestave kundër qeverisë. Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar dje, kryesocialisti Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha të japë dorëheqjen, ndryshe ai tha se opozita do të protestojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ai i bëri thirrje popullit dhe çdo individi që sipas Ramës është në opozitë me qeverinë, që të përdorin çdo mjet që njeh Kushtetuta për të rrëzuar sa më parë qeverinë. Rama tha gjithashtu se opozita do të publikojë së shpejti skandale të tjera në të cilat është përfshirë qeveria aktuale. Ai tha se do të bëhet e qartë për publikun se përse është përmbytur Shkodra, ndërsa i drejtoi Berishës një pyetje, nëse ka marra para të thata nga biznesmeni Damir Fazlliç.
Rrëzimi
Gjatë fjalës së mbajtur pak minuta para se të jepte dorëheqjen zëvendëskryeministri Meta, kryesocialisti Rama përsëriti disa herë kërkesën për largimin e Metës dhe të Berishës, duke i akuzuar ata për vjedhjen e votave dhe korrupsion. Rama tha se kryeministri dhe zëvendëskryeministri duhet të dorëhiqen, pasi në rast të kundërt do të jetë populli që do t’i largojë me të gjitha rrugët që njeh Kushtetuta. “Sali Berisha duhet të dorëhiqet së bashku me zëvendëskryeministrin, se popullit i lind, pavarësisht nga ne, e drejta ta largojë qeverinë me mjetet që Kushtetuta ia lejon e ia njeh vetëm popullit. Pasi e kanë grabitur e vjedhur, pasi e kanë gënjyer e tallur, Saliu dhe zëvendësi i pandashëm kërkojnë t’i bëjnë këtij vendi poshtërsinë e poshtërsive”, - është shprehur Rama gjatë fjalës së mbajtur dje në Asamblenë e PS-së. Ai tha se largimi i kësaj qeverie kërkohet për të sjellë lirinë dhe konkurrencën në politikë përmes zgjedhjeve të lira, dhe jo sipas kritereve të Bllokut. “Ne kërkojmë dorëheqjen e tyre jo për t’u ulur në karriget e tyre, por të sjellë lirinë e konkurrencës në politikë, përmes zgjedhjeve të reja dhe sipas meritës, dhe jo sipas kritereve të Bllokut”, - theksoi Rama, duke shtuar se çdo ditë që ata vonojnë dorëheqjen rëndojnë pozitën e tyre para popullit. Duke iu referuar videos të publikuar, kreu i opozitës Rama theksoi se tashmë u vërtetua më së miri korrupsioni i qeverisë dhe se kryeministri Berisha duhet të largohet pasi përndryshe do të jetë vetë populli, i cili do ta largojë atë. Kreu socialist më pas diktoi dhe datën e protestës masive. “Më 21 janar, kush do shpëtimin, të ngrihet më këmbë. I ftojmë pa flamuj, pa asnjë paragjykim që ndan këdo, qoftë dhe pa asnjë ceremoni që të bashkohen secili me veten e tij, me të afërmin e të dashurin e tij, në mënyrë që ky vend të shpëtojë nga kusarët”, - është shprehur Rama, ndërsa tha se demonstrata e parë do të mbahet në kryeqytet më 21 janar dhe se do të pasohet nga një valë protestash në të gjitha qytetet e vendit.
Skandalet
Lideri i opozitës, gjatë fjalës së tij të gjatë në Asamblenë Kombëtare, paralajmëroi publikimin e skandaleve të tjera që lidhin këtë qeveri me afera korruptive. Madje ai tha se skandali i radhës lidh kryeministrin me biznesmenin Damir Fazlliç. Me këtë rast zoti Rama i adresoi një pyetje kryeministrit Berisha. “A ka fituar ai drejtpërdrejt dhe nëse jo, a është ai në dijeni për ndonjë anëtar të familjes së tij, që ka fituar para të thata në dorë në kurriz të shqiptarëve nga kjo miqësi? Sqaroj se nuk bëhet fjalë për shërbime avokatie, të mos më keqkuptojë i ashtuquajtur kryeministër i koalicionit të integrimit dhe as të mos ngutet të mbiprodhojë baltë për të mbuluar ndonjë të vërtetë shqetësuese lidhur me sa e pyeta. E siguroj se nuk është truk, nuk është montazh, nuk është as komplot vizual, është thjesht një pyetje në kuadrin e procesit të transparencës”, - tha Rama. Ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të tërhiqet në publikimin e skandaleve ku është përfshirë qeveria aktuale, pavarësisht baltës, siç tha ai, që prodhon makineria e saj. “Transparenca e keqqeverisjes, as mbyllet duke djegur fletët e votimit dhe as duke burgosur materiale zgjedhore me duart e një xhelepi të KQZ-së, as nuk zmbrapset nga një surogato e KPD-së famëkeqe dhe vete me një nanorural që më një fuoristradë të tipit të fundit, i jep një kali imagjinar të fëmijërisë. As nuk ndalet duke ndërsyer çdo ditë kundër opozitës tërë zollorinë e ministrave famëkëqij dhe deputetëve fatkeq, bashkë me Frok-Ballinj ekranesh dhe gazetash që e shesin veten sa ‘frangaj’ pulën me lekët e bllokut të qeverisë së tij”, - deklaroi Rama. Më tej kreu i PS-së tha se do të bëhet shumë shpejt publike dhe arsyeja e vërtetë e përmbytjes së Shkodrës.
BOX
Rama tha:
“Të gjithë qytetarët, pa dallim, po shohin përmes një shembulli që i ngjan fotografisë ilustruese se çfarë i ka bashkuar kusarin e votave të 28 qershorit me matrapazin e votave të opozitës më 28 qershor”
“Sot alibia e trukut, montazhit, komplotit vizual ka rënë njësoj siç ka rënë në sytë e shqiptarëve kjo qeveri”
“U them sot nga kjo foltore, edhe Saliut, edhe zëvendësit të tij, se çdo ditë që vonojnë dorëheqjen dhe pranimin e zgjedhjeve të reja, si të vetmen rrugë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza totale ku e kanë zhytur, rëndojnë pa pushim pozitën e tyre para këtij populli”
“Në Shqipëri kanë rënë zgjedhjet, ka rënë Drejtësia, ka rënë i gjithë shteti. Padrejtësia është kthyer në sistem qeverisës, metodë pune në zyrat e shtetit”
“Beteja për kutitë, për transparencën e zgjedhjeve të shkuara, është betejë për fiziologjinë e një shoqërie që ka zgjedhur të jetojë në pluralizëm, si domosdoshmëri jetike për demokracinë e shoqërisë shqiptare”
“Ne sot jemi gati të mbrojmë e provojmë çdo akuzë për të gjitha veprat e korrupsionit dhe emrat që kanë dalë në procesin e transparencës publike”
“Shqipërisë sot i duhet në radhë të parë drejtësi, në mënyrën si qeveriset dhe dinjitet dhe respekt për çdo të qeverisur”
“Nesër vërtet do të jetë vonë e për këtë arsye unë dua t’iu them të gjithëve se ne i ftojmë pa flamuj, pa asnjë paragjykim që ndan këdo qoftë dhe pa asnjë ceremoni, që të bashkohen për të rrëzuar qeverinë”
Vendimet e Asamblesë
PS-ja angazhohet të përshkallëzojë protestat deri në largimin e qeverisë
Të thellohet marrëdhënie e kushtëzuar e opozitës me Kuvendin e Shqipërisë
Forcimi i strukturave të PS-së për t’iu përgjigjur krizës në të cilën ndodhet vendi
Përfaqësuesit e PS-së do të dënojnë me forcë në KE raportin e Dik Martit
PS-ja kërkon hetimin dhe dënimin e korrupsionin dhe krimit shtetëror
Rezoluta
PS-ja angazhohet për zgjedhje të parakohshme, “harrohen” zgjedhjet lokalet
Në përfundim të Asamblesë Kombëtare, Partia Socialiste doli me një rezolutë në të cilën bëhet i qartë qëndrimi që do të mbajë kjo parti në ditët në vijim. Në të gjithë rezolutën socialistët angazhohen për protesta me qëllim largimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, ndërkohë që në asnjë rresht nuk flitet për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në një kohë kur kryeministri Berisha ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet vendore, socialistët kërkojnë zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Në rezolutën e PS-së bëhet e ditur se kjo parti do të thellojë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, që do të thotë se nuk do të marrë pjesë në miratimin e projektligjeve. Po kështu, kjo parti u bën thirrje të gjitha grupeve qytetare që të organizohen dhe të marrin pjesë në demonstratën e 21 janarit.
“Socialistët shqiptarë u bëjnë thirrje qytetarëve, pa dallim, studentëve, intelektualëve, medias së pavarur në këtë vend, shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, sipërmarrësve, mësuesve dhe mjekëve, ish-ushtarakëve, ish-të përndjekurve, ish-pronarëve, çdo shqiptari që ndjehet në opozitë me qeverinë, që të jenë së bashku me ne në demonstratën e fuqishme që do të organizohet ditën e premte, më datë 21 janar, për të filluar lirimin e Shqipërisë dhe shpëtimin e vendit tonë nga e keqja që i ka zënë fytin e po e mbyt demokracinë, drejtësinë dhe ekonominë e këtij vendi”, - është shprehur Blendi Klosi. Socialistët u bëjnë thirrje institucioneve të drejtësisë të hetojnë e dënojnë pa asnjë kompromis korrupsionin dhe krimin shtetëror që ka kapur shtetin.
15 Janar 2011