E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Meta-Prifti, hetim nga ekspertë të huaj



TIRANË – Prokuroria kërkon ndihmën e ekspertëve të huaj për të bërë hetimin e videos së dorëzuar në organin e akuzës nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Burimet zyrtare pohuan mbrëmë se është kërkuar ndihma e specialistëve britanikë dhe amerikanë për të parë nëse incizimi filmik është një montazh apo jo. Në momentet që Prokuroria e Tiranës nisi hetimet kryesisht, duke sekuestruar kasetën e nxjerrë në emisionin “Fiks fare”, ka vijuar puna për të parë vërtetësinë e materialeve. Ndërkohë, Presidenti i Republikës i kërkoi sërish dje organit të akuzës që të bëjë transparencën e plotë të akuzave për afera korrupsioni.

HETIMI
Dy ekspertë të huaj, një britanik dhe një amerikan, do të kryejnë verifikimin e videoregjistrimit të bisedës së përgjuar më 1 mars 2010 nga ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ende nuk ka një informacion zyrtar për emrat e tyre, por Prokuroria e Përgjithshme tha se ka kërkuar ekspertizën e specialistëve të huaj për shkak të rëndësisë së çështjes. Ekspertët nga autoritetet e Drejtësisë në SHBA dhe Britani do të kryejnë ekspertimin e vërtetësisë së materialit dhe më pas do të shprehen me raport procedural në adresë të Prokurorisë shqiptare. Gjatë ditëve të fundit ka pasur përplasje mes palëve që janë përfshirë në akuza, pasi zoti Meta thotë se është një montim politik i pështirë, ndërsa Prifti pohoi se pjesa e publikuar në emisionin “Fiks fare” është marrë me shkurtime, ndërsa pjesën e plotë e ka dorëzuar në Prokurori dy ditë më parë.
Brenda dy viteve është rasti i dytë që Prokuroria e Përgjithshme kërkon ekspertë të huaj për hetime specifike. Në rastin e parë u thirrën specialistë amerikanë për të bërë ekzaminimin e vendit ku u gjet i vdekur biznesmeni Kosta Trebicka, autori që denoncoi aferën e municioneve kineze që blinte kompania amerikane “AEY”, presidenti i së cilës, Efraim Diveroli, u dënua nga Gjykata e Floridës me 4 vjet burg në fillim të janarit.

DEKLARATA
Presidenti Bamir Topi shprehu dje qëndrimin e tij zyrtar ndaj video-përgjimit të publikuar para pak ditësh për kryetarin e LSI-së, Iir Meta. Sipas zotit Topi, i takon Prokurorisë të bëjë transparencën e plotë të asaj videoje. “I takon në mënyrë ekskluzive Prokurorisë që të bëjë transparencë, pasi është detyrim i këtij institucioni", - tha Topi. Këto deklarata, kreu i shtetit i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin në detyrë të Kosovës, Jakup Krasniqi. Kreu i shtetit tha se "sa kohë që ky material është atje dhe ende nuk kemi asnjë lloj prononcimi, të gjithë të tjerët duhet të presin pozicionin e Prokurorisë". Lidhur me situatën politike në vend, presidenti apeloi që klasa politike të dëshmojë më shumë profesionalizëm dhe t'u adresohet qëllimeve madhore të vendit. "Politika duhet të jetë e ndërtuar mirë në funksion të qëllimeve madhore të vendit, duke diskutuar në radhë të parë për reformat që duhet të ndjekë një vend që aspiron të futet në Bashkimin Europian", - nënvizoi Topi.

BISEDA
Kryetarja e Gjykatës së Lartë: “Nuk jam përfshirë në këtë çështje”

TIRANË – Lakimi i emrit të kryetares së Gjykatës së Lartë në videon e përgjimit të ish-ministrit Meta ka sjellë reagimin e drejtueses së këtij institucioni. Zonja Shpresa Beqaj deklaroi dje se “distancohem prerazi dhe në mënyrë kategorike nga përfshirja ime si kryetare e Gjykatës së Lartë në këtë çështje. Unë garantoj se nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj asnjëherë, për asnjë lloj motivi ose arsyeje, në dhënien e vendimeve të kolegjeve të Gjykatës së Lartë dhe konfirmoj publikisht angazhimin tim se pavarësinë dhe kompetencat e pushtetit gjyqësor që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji do t’i vendos gjithmonë në themel të zgjidhjeve ligjore, objektive dhe profesionale të çështjeve që janë në juridiksionin e kësaj gjykate”, - tha drejtuesja e kësaj gjykate. Sipas saj, “presionet e çfarëdollojshme që ushtrohen mbi kryetarin e Gjykatës së Lartë nuk mund të lëkundin qëndrimin dhe vendosmërinë për zbatimin e ligjit dhe vetëm të ligjit”.
Beqaj sqaroi se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë që bëhet fjalë në bisedë, është marrë në datën 18.06.2010, pra rreth tre muaj e gjysmë pas datës së regjistrimit të dy bashkëbiseduesve. Sipas saj, “vendimi i Gjykatës së Apelit, për të cilin pretendohet në bisedë se ishte përfundimtar dhe i formës së prerë, nuk ishte marrë ende”. “Dosja është dërguar në administratën e Gjykatës së Lartë më datë 24.09.2010, ku nëpërmjet shortit elektronik është caktuar gjyqtari relator dhe pret radhën për t’u gjykuar si shumë çështje të tjera”, - tha drejtuesja e këtij institucioni.
Ajo sqaroi edhe detajet që kanë të bëjnë me punësimin e vajzës së saj në shërbimin diplomatik. “Emërimi i vajzës time si nëpunëse në një mision diplomatik të Shqipërisë jashtë vendit është bërë në respektim të kritereve të vendosura bazuar në arsimimin, formimin dhe profesionalizmin e saj”, - deklaroi Shpresa Beqaj. Në kasetën e regjistruar, Meta dhe Prifti flasin për koncesionin e një HEC-i dhe firma e skualifikuar kishte bërë padi në Gjykatën e Apelit dhe kishte fituar. Zoti Meta kërkon nga ministri Prifti që t’i japë koncesionin kompanisë dhe në bisedë e sipër me të thotë se “Apeli është i formës së prerë, ti mund ta zbatosh, do ta çojnë më tej. Ata le ta çojnë, por prapë mbyllet. Do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë”.

15 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›