E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta jep dorëheqjen: “Dua të gjykohem si qytetar, jo si ministër”



Eljona Ballhysa
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dha dje dorëheqjen e parevokueshme nga dy postet që mbante në qeveri: nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ai i ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës. Ky veprim i Metës u ndërmor vetëm pak ditë pas publikimit të videos së përgjimit, që hedh dyshime për implikimin e zëvendëskryeministrit në një aferë korruptive. Gjatë konferencës së posaçme për shtyp nga selia e LSI-së, Meta tha se i kishte paraqitur kreut të qeverisë dorëheqjen në mënyrë që ai të gjykohet nga organet e drejtësisë si qytetar i thjeshtë dhe jo si një njeri me pushtet. Meta tha gjithashtu se shumë shpejt do të ngrejë një padi penale apo civile ndaj ish-ministrit Dritan Prifti, i cili është dhe autor i videos së regjistruar.
Qëndrimi
“Pasi nuk mund të konsideroj se është e mjaftueshme vetëm lënia e imunitetit për t’u përballur me ligjin dhe drejtësinë, por njëkohësisht është shumë e rëndësishme edhe lënia e detyrave qeveritare, jo vetëm për të shkuar në prokurori dhe në organet e zbatimit të ligjit si një qytetar i barabartë me të gjithë qytetarët e tjera të Shqipërisë”, - është shprehur kryetari i LSI-së. Sipas Metës, tani do të nisë beteja e tij kundër krimit të organizuar, drejtuar nga PS-ja, që kërkon të marrë peng shtetin. “Duke lënë sot detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njëkohësisht unë do të nis një betejë ligjore penale dhe civile ndaj mostrës Dritan Prifti. Edi Rama dështoi në montazhin e vet mafioz dhe kriminal duke përdorur një çimkë monstër të korruptuar në çdo qelizë të tij. Jam sot këtu për të deklaruar se lufta kundër këtij fenomeni të shëmtuar të krimit të organizuar për të marrë peng institucionit, për të marrë peng jetën politike, e kërkon që unë sot të jap dorëheqjen nga detyrat qeveritare”, - është shprehur Meta. I pyetur nëse ka pasur ndonjë kërkesë nga prokuroria për t’u paraqitur, Meta tha se ende nuk i ka ardhur ndonjë kërkesë e tillë, ndërsa shprehu gatishmërinë për t’iu përgjigjur menjëherë organeve të drejtësisë. “Nuk kam asnjë kërkesë, absolutisht. Mezi pres të paraqitem në Prokurori dhe në të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në vend dhe jam i gatshëm në çdo kohë, në çdo moment”, - është shprehur kryetari i LSI-së.
Koalicioni
Gjatë fjalës së tij Meta garantoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit qeverisës dhe aleate e Partisë Demokratike. “Njëkohësisht i kam konfirmuar kryeministrit Berisha dhe njëkohësisht kryetarit të PD-së, vendosmërinë edhe më të madhe, edhe më të fortë timen si kryetari i LSI-së, por edhe të forcës politike që unë përfaqësoj, për të konsoliduar më tej koalicionin qeverisës, si një domosdoshmëri për t’i dhënë goditjen përfundimtare krimit të organizuar në këtë vend, strukturave të korruptuara, të cilat synojnë të marrin peng të ardhmen e vendit dhe që synojnë të marrin peng lirinë dhe dinjitetin çdo qytetari të Shqipërisë”, - është shprehur kreu i LSI-së.

Rama: “Meta u largua pas presionit të Berishës”

“Largim me turp si një manovër e detyruar e Metës dhe qëndrim i turpshëm i kryeministrit që i doli më pas në mbrojtje”. Kështu i ka komentuar zhvillimet politike të ditës së djeshme kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Sipas tij, dita e 21 janarit është dita për të gjithë qytetarët që nuk duan ta
mbajnë në kurriz këtë turp, duke i ftuar në një protestë të përgjithshme, ashtu siç bëri në fakt gjatë fjalës që mbajti sot gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Ftoj qeverinë të japë dorëheqjen dhe ju ftoj të gjithëve më 21 janar të protestojmë kundër llumit të qeverisë që grabit popullin përditë. Deklarata e Berishës se videoja është montazh ishte një tjetër tallje dhe përpjekje e re për të vënë në presion prokurorinë”, - tha kryesocialisti. Rama shtoi se nëse nuk do të kishim “lirinë e shtypit sot do të dëgjonim përrallën e zhvillimit dhe atë që ndodh në zyrat e koalicionit të integrimit. Berisha mohoi atë që çdo shqiptar e dëgjoi me zë e me figurë. Berisha fyen popullin kur mohon videon”. Prandaj, sipas Ramës, populli duhet t’i bashkohet protestës së 21 janarit. “21 janari është dita e kujtdo që s’do ta mbajë këtë turp në shpinë. 21 janari është dita e demonstratës kundër varfërisë”, - tha Rama më tej.

Tre dorëheqjet e Ilir Metës në vite

Ilir Meta është angazhuar në politikë që prej vitit 1990, kur ai ishte pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Studentore që solli pluralizmin politik në Shqipëri. Që prej vitit 1992 Meta është zgjedhur deputet në të gjitha legjislaturat, me pjesëmarrje aktive në shumë komisione parlamentare. Gjatë periudhës tetor 1998-tetor 1999, Ilir Meta mbajti postin e zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Koordinimit dhe në periudhën mars-tetor 1998, atë të sekretarit të Shtetit për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në nëntor 1999, Ilir Meta mori postin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare u rizgjodh kryeministër në shtator 2001, post të cilin e mbajti deri në shkurt 2002, kohë kur dha dorëheqjen nga ky post. Gjatë periudhës korrik 2002 - korrik 2003, Ilir Meta ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, njëkohësisht dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Në vitin 2003 Meta tha dorëheqjen nga ky post për shkak të mosmarrëveshjeve që kishte me kryeministrin e atëhershëm Fatos Nano. Në vitin 2004 Meta largohet nga PS-ja dhe krijon LSI-në. Në vitin 2009 ai i bashkohet koalicionit të djathtë qeverisës dhe në periudhën shtator 2009-shtator 2010 ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Që prej 16 shtatorit 2010 dhe deri më 14 janar 2011 Meta ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

BOX
Shkurt 2002, Meta jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit

Korrik 2003, Meta jep dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit

Janar 2011, Meta jep dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë

Dy imunitetet e hequra të Metës

Ilir Metës i është hequr dy herë imuniteti i deputetit. Madje ai është deputeti i parë në vitet e pluralizmit, të cilit i është hequr imuniteti. Kjo ka ndodhur në vitin 1992. Akuza e ngritur ndaj tij në atë kohë ishte “nxitje e revoltave” në Poliçan gjatë vitit ’92. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, zëvendëskryeministri Meta hoqi dorë nga imuniteti i tij në mënyrë vullnetare. Megjithëse Meta ka deklaruar heqjen e imunitetit të tij në bazë të Rregullores së Kuvendit, duhet që heqja e imunitetit të votohet në seancë parlamentare në mënyrë që t’i hapet rruga prokurorisë për të proceduar me hetimet.

Reagimet

Dorëheqja e Metës, Balla: “Ra paterica e Berishës”

Partia Socialiste e konsideroi dorëheqjen e Ilir Metës si hapin e parë që duhet të pasohet edhe nga ikja e kryeministrit Sali Berisha. Deputeti Taulant Balla tha dje se ky do të jetë qëllimi i vetëm i opozitës që do të shpërthejë në protesta e demonstrata. “Sapo ka rënë paterica që mban në pushtet Sali Berishën. Beteja jonë mbaron kur të ketë rënë Sali Berisha, që do të thotë më 21 janar populli opozitar do të jetë në Tiranë për të larguar nga një pushtet i vjedhur Sali Berishën. Ajo që kemi thënë prej ditës së parë, që Sali Berisha vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, është një e vërtetë e madhe; ajo që kemi thënë që ditën e parë, që Sali Berisha lidhi pazar me Ilir Metën për të vjedhur Shqipërinë, tashmë është një e vërtetë e madhe. Njëri prej hajdutëve, që është Ilir Meta, sot është jashtë kësaj qeverie. Paterica që mban Sali Berishën ka rënë, por hajduti tjetër, hajduti i zgjedhjeve që e ka emrin Sali Berisha, i ka ditët e numëruara”, - është shprehur dje deputeti socialist Taulant Balla.

“Mjaft”-i, sërish protestë para LSI-së

Aktivistë të lëvizjes “Mjaft”, bashkë me qytetarë të Tiranës dhe analistë të njohur të shtypit, kanë protestuar sërish dje para selisë së LSI-së. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës nga funksionet zyrtare, në një moment kur vetë kreu i LSI-së po e njoftonte atë në një konferencë për shtyp. “Më vjen keq që shqiptarët drejtohen nga një qeveri e tillë”, - ka deklaruar analisti Mustafa Nano. “Sot protestojmë kundër sjelljes së pistë të kësaj qeverie”, - ka thënë menjëherë pas tij Xhemal Mato. Protestat e Mjaft-it filluan ditën e djeshme, ku aktivistët u përleshën me truprojat e godinës që shërben si selia qendrore e LSI-së.

15 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›