E Shtunë, 31 Tetor 2026

“LSI ka kapacitete për të qeverisur edhe pa PS, pas 28 qershorit”

Meta i kundërpërgjigjet indirekt Ramës

TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, ka refuzuar që të komentojë në mënyrë direkte deklaratën e ditës së premte të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, sipas të cilit Partia Socialiste nuk do të bashkëpunojë me koalicionin që drejton LSI si para ashtu edhe pas zgjedhjeve. I pranishëm në një nga fabrikat agro-përpunuese në Tiranë, Meta ka shmangur dhënien e ndonjë përgjigje duke ngulmuar vetëm tek çështja që kishte të bënte me vendndodhjen e tij. Megjithatë kreu i LSI në mënyrë të tërthortë ka lënë të nënkuptohet se nuk është i shqetësuar nga një deklarata e tillë duke theksuar se LSI ka njerëz të kualifikuar që mund t’ia dalin vetëm në zgjedhje. “Lëvizja Socialiste për Integrim ka planin më të qartë për tu treguar shqiptarëve, ka planin më të qartë për të ndihmuar shtresat e varfra më të ardhura më të pakta dhe shtresën e mesme në Shqipëri dhe Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur se shqiptarët do të mbështesin dhe do ta aprovojnë planin e saj për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim ka jo vetëm një program të qartë, por ka edhe një ekip me eksperiencë dhe të kualifikuar për të përballuar krizën dhe për ta çuar Shqipërinë drejtë atyre standardeve evropiane që shqiptarët presin këtu”, deklaroi Meta. Dy ditë më parë kryesocialisti deklaroi në emisionin “Ora e Debatit” në Ora News se Ilir Meta dhe LSI nuk do të jenë pjesë e koalicionit të PS. Rama tha si i vetmi koalicion që do të drejtojë PS është koalicioni aktual i deklaruar i saj me disa parti të majta, por theksoi se aleanca më e madhe e PS është me qytetarët shqiptarë, përtej së majtës dhe së djathtës. “Shfrytëzoj këtë mundësi që të komunikoj me teleshikuesit, që janë të interesuar për atë që ne do bëjmë dhe pse jemi ne ata që kemi alternativën më të mirë. Për të ndryshuar Shqipërinë na duhet të ndryshojmë politikën. Ndryshimi ka filluar nëpërmjet kësaj politike të re të PS. Duhet t’i japim fund një historie pazaresh dhe të hapim një histori të re realizimesh. Nuk është koha e një pazari të ri kryetarësh”, theksoi kreu PS-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›