Suzana Guxholli: Mashtrimet ndaj meje kryhen për shkaqe politike nga pjesa e korruptuar e medias
Përgënjeshtrim i këshilltares së kryeministrit, mbi artikullin e gazetës “Albania”, datë 2 maj 2009, me titull “Dy këshilltarë të Berishës, sekserë në koncesione prej miliona eurosh”
Jam ndjere plotësisht e befasuar kur pashë se mëngjesin e ditës se shtunë, të datës 02.05.2009, gazeta e përditshme “Albania” më cilësonte si seksere në një koncesion, të miratuar pak ditë më parë. Në kundërshtim me të gjithë parimet e gazetarisë profesionale, pa më kontaktuar mua as në telefon, kjo gazetë ka marrë përsipër të drejtojë sulme dhe shpifje të paqena ndaj meje dhe është e qartë kjo për shkak të pozicionit publik që kam.
Dua të bej me dije publikun shqiptar që artikulli i sipërpërmendur është një gënjeshtër e madhe e radhës e asaj pjese mafioze të medias që abuzon me lirinë e shtypit, duke trilluar histori e bëma të paqena. Unë deklaroj, në përgjegjësinë time publike dhe ligjore, që nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë lloj lidhjeje me kompaninë “EuroConsulting” të Kosovës, për pasojë as me tenderin për hidrocentralet në lumin Shalë dhe me asnjë kompani tjetër që zhvillon aktivitet në territorin e Shqipërisë apo jashtë saj.
Në artikull thuhet se: “zonja Suzana Guxholli, e cila është edhe koordinatore direkte dhe eksperte e zyrës së Kryeministrit për të gjithë koncesionet që jepen në Shqipëri, ka shpallur në curriculumin e saj zyrtar faktin se është drejtoreshë dhe menaxhere në këtë firmë”. Gënjeshtra fillon me pozicionin tim zyrtar (që është këshilltare e Kryeministrit për ekonominë), për t’u finalizuar me mashtrimin e pabazë, duke e cituar si të ishte në CV-në time zyrtare, pozicioni i shpikur i administratores së firmës që për herë të parë e dëgjova nga trillimi i gazetës “Albania”. Fatmirësisht, falë standardeve të transparencës së qeverisë, për të cilën unë punoj, CV-ja ime mund të lexohet në çdo kohë nga kushdo (në faqen e internetit të kryeministrisë: www.km.gov.al, Kabineti). Cilido në këtë adrese mund të marrë konfirmimin se ajo çka shkruhet në gazetë është një gënjeshtër e ulët dhe banale.
Procedurat dhe ligjet transparente në fuqi, të kësaj qeverie, i japin mundësi çdo qytetari të kontrollojë e bëhet me dije edhe nëpërmjet internetit, në QKR (Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit) me adresë: www.qkr.gov.al), METE (Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me adrese www.mete.gov.al), mbi informacionin, dosjet dhe dokumentet përkatëse të çdo tenderi, kompanive pjesëmarrëse e aktiviteti të zhvilluar edhe sipas historisë se tyre.
Sa për gënjeshtrën tjetër që lë të nënkuptojë se aksesi në informacion që është pjesë e funksionit tim është keqpërdorur, botuesi dhe gazetari nuk ka përse të bëjë ngatërresa të tilla e të fantazojë për të prodhuar gënjeshtra të tjera, kur dihet se tek i gjithë informacioni, për çdo tender e koncesion, kanë akses të plotë të gjithë gazetarët, përfshi edhe ata të blerët e të manipuluarit, sikundër dhe i gjithë publiku shqiptar. Duke parë gënjeshtrat, ku caku i shpifjeve nuk ka fund, vlerësoj se ky artikull është një luftë e hapur dhe goditje e turpshme ndaj personit tim dhe detyrës që unë kryej, që bëhet në kuadrin e fushatës elektorale nga pjesa e korruptuar e medias, e cila mbështet interesa mafioze të grupeve të caktuara politike dhe mediatike.