E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI ka një problem! Nga Skënder Minxhozi Zgjedhjet e 28 qershorit mbyllën shumë pikëpyetje politike në këtë vend (të paktën përkohësisht), por hapën ose, më mirë, vijuan një precedent që në vetvete përbën një të panjohur të madhe për të ardhmen e maz

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

LSI ka një problem! Nga Skënder Minxhozi

Zgjedhjet e 28 qershorit mbyllën shumë pikëpyetje politike në këtë vend (të paktën përkohësisht), por hapën ose, më mirë, vijuan një precedent që në vetvete përbën një të panjohur të madhe për të ardhmen e mazhorancës. Kalimi i LSI djathtas i siguroi PD shifrën magjike, mbi të cilën ka bazuar shpresat për të konsumuar mandatin e dytë qeverisës. Por, ndërsa nga pikëpamja e zotit Berisha kjo ka qenë një zgjidhje komode dhe e pashmangshme në planin e lëvizjeve konkrete të pas 28 qershorit, për zotin Meta ajo vazhdon të përbëjë një thikë me dy presa, një mëdyshje hamletiane dhe një ekuacion me disa të panjohura të mëdha. Le t’i analizojmë.

Ilir Meta ka një problem të madh e të pazgjidhshëm me të shkuarën e tij të afërt. Madje shumë të afërt. Sa herë del para medieve e anatemon ata që shajnë zgjedhjet dhe kërkojnë hapjen e kutive, ai kthen kokën pas dhe kujton se ç’ka thënë ai vetë deri dy-tri ditë pas 28 qershorit. Sa herë ai sulmon ata që kërkojnë shtyrjen e ratifikimit të marrëveshjes detare me Greqinë, ai kujton çfarë ka thënë LSI për të njëjtën marrëveshje dhe për të njëjtin kryeministër gjashtë muaj më parë. Sa herë që citon Berishën dhe e mbështet publikisht, ai ka sërish mundësinë të kthejë kokën e të kujtojë lumin e epiteteve e sharjeve që ka përdorur për të njëjtin njeri në 18 vjetët e fundit. Kjo diskordancë totale dhe shqetësuese e ka burimin e vetëm te baleti politik që partia e zotit Meta kërceu me ngut pas votimeve të qershorit dhe që e hodhi atë në brigje që i kishte mallkuar për njëzet vjet rresht. Mund të ndryshosh qëndrimin politik, qoftë edhe në mënyrë spektakolare e radikale si në rastin në fjalë, por duhet të marrësh parasysh faturën e kripur që duhet paguar në sytë e opinionit publik që të ka votuar ose, më së paku, të ka ndjekur në ato që ke thënë dhe ke bërë. Meta ndodhet në pozitën e atij muratorit që i duhet t’i rikthehet nga e para murit që ka ndërtuar për të mbyllur pa pushim me llaç vrimat që ka lënë hapur në të. Përgënjeshtrime deklaratash e qëndrimesh si ato të javëve të fundit duhet të mësohemi t’i shohim nga LSI edhe në të ardhmen.

LSI është sot në ndërtim e sipër të një profili të ri politik, të ndryshëm nga i pari dhe të zhvendosur nga boshti historik e ideologjik mbi të cilin ajo sendërtoi gjithë qenien e saj. Kjo parti ka dalë nga habitati i saj i natyrshëm dhe është futur në listën e gjatë të siglave të së djathtës, ku ka shumë dendësi emrash dhe ikonash politike, por ku në fakt ligjin e bën prej 18 vjetësh një njeri i vetëm. Ky spostim i beftë dhe i pamendueshëm deri pak muaj më parë, ka prishur të gjitha balancat dhe pikat tradicionale të referimit që LSI ka pasur gjatë rrugës së saj. Antiberishizmi, e majta në formën e saj ideale dhe të pastër, lufta kundër partive të mëdha që korruptojnë pushtetin dhe të vegjlit përreth - të gjitha këto janë vlera, të cilat dikur LSI i kishte të sajat, e që tani duhet t’i rishohë nga themeli. Arsyetimi i kreut të partisë se, kjo që ndodhi, ka pasur si motiv nevojën për ruajtjen e stabilitetit politik dhe vijimin e procesit të integrimit, tingëllon sot si një shaka pa kripë në veshët e atyre që ende i kanë të gjalla fjalët e Ilir Metës se “Berisha shkatërroi shtetin, ne do ta nxjerrim atë në pension më 28 qershor”.

Meta e sheh aktualisht të mbyllur hapësirën politike dhe elektorale të partisë së tij. I afishuar për pothuaj pesë vjet si përfaqësuesi i një të majte të vërtetë dhe që nuk bën pazare djathtas (madje as majtas), ai ndodhet tashmë në një udhëkryq të vështirë, ku e ka thuajse të pamundur në parim që të gjejë një terren të qëndrueshëm, mbi të cilin të ndërtojë nga e para projektin e tij politik, as të majtë, as të djathtë. Shpresat e Metës mbështeten më së shumti te mundësia që LSI do të ketë për të rekrutuar përkrahje me anë të përdorimit të 20% të pushtetit ekzekutiv që Berisha i ka dhënë. Pra, një zyrë pune më shumë sesa një parti politike. Që nga dita e uljes në postin e ministrit të Jashtëm s’mund të mos vesh re sesa shumë dhe me sa këmbëngulje po merret ai me kundërpërgjigjet dhe replikat ndaj opozitës. Tashmë ka një listë të gjatë deklarimesh publike, në të cilat ministri ynë i Jashtëm është marrë me “çështje të brendshme”, duke sulmuar opozitën më shumë sesa edhe vetë kryeministri dhe partia e tij. Kjo është një rrethanë e panatyrshme dhe që duket se e ekspozon Metën në një pozicion të pafavorshëm e të sforcuar.

Është e dukshme dhe lehtësisht e lexueshme se ai ndjehet keq që ia ka lënë në dorë praktikisht të gjithë të majtën Edi Ramës dhe aleatëve të tij. Kjo ndjesi vetëpërjashtimi nga një bashkësi politike, në të cilën ai u ndërtua dhe evoluoi si politikan karriere, krijon tek Ilir Meta një frustrim të dallueshëm që larg. LSI sheh sot jashtë gardhit të së majtës se si kjo pjesë e spektrit po mundohet të gjejë një organizim të ri të brendshëm, i cili ndër të tjera do të synojë që ta forcojë ndarjen me LSI, duke e shtyrë atë me pahir drejt një krahu politik, ku ajo vështirë se do ta ndjejë ndonjëherë veten si në shtëpinë e saj. Fati i ri i partisë e ka afruar Ilir Metën papritur te pushteti, por e ka larguar nga rezervati i natyrshëm ku ai dhe LSI kanë milituar dhe janë përpjekur të mbledhin mbështetje gjatë viteve të fundit. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kreu i saj kanë një problem të madh identiteti, i cili përkthehet në vështirësinë për t’u orientuar dhe për t’u vendosur në spektrin politik të pas 28 qershorit. Berisha vijon të jetë ai që ishte, Rama, Mediu dhe Gjinushi gjithashtu. Vetëm Ilir Meta nuk është më ai që ishte, e kjo është një situatë, e cila e çorienton dhe ia heq qetësinë dhe vetësigurinë e dikurshme.

Gjesti i Ilir Metës në afrimin me Berishën vlerësohet sot, nëse i hedh një sy medies së tre muajve të fundit, përgjithësisht më i lehtë dhe i kuptueshëm sesa humbja e Edi Ramës. Ky është një konvencion politiko-mediatik me integritet të dyshimtë më shumë sesa një e vërtetë objektive. Megjithëse këto dy gjendje (ajo e Metës dhe ajo e Ramës) janë të ndryshme dhe specifike në atë që përfaqësojnë, faji i kreut të PS është konsideruar si një krim në kufijtë e të pafalshmes, kurse aleanca hibride e Metës, e cila i ka dhënë jetë kabinetit Berisha 2, shihet më së shumti si një “zgjidhje e diktuar nga rrethanat”. Kjo sjellje duket si një kompromis i heshtur i një pjese të medies me shtetin dhe politikën, si një komoditet që të shtyn të përdorësh pambukun për të goditur njërën palë dhe artilerinë e rëndë për t’i rënë palës tjetër.

Nëse Edi Rama i la mbi krye partisë dhe mbështetësve të tij një kalvar të dytë politik katërvjeçar (edhe me duart e Ilir Metës), ky i fundit s’ka pse të mos mbajë asnjë përgjegjësi para atyre që e votuan, për kthesën e papritur që i dha partisë së tij, duke u afruar në harkun e pak orëve pikërisht me njeriun, të cilin betohej se do ta nxirrte në pension. Rama bëri një gabim që mund t’i kushtonte fare mirë karrierën politike, por ama edhe Ilir Meta ka bërë diçka që në një vend normal do të sillte fundin e një karriere politike. Sot, kur ai është zv/kryeministër kjo mund të tingëllojë si një shaka pa kripë, porse në zgjedhjen që LSI bëri duke u bashkuar me Berishën përfitimet politike s’mund të mos shoqërohen nga pas me një faturë politike, të cilën askush, madje as vetë Meta, nuk është në gjendje ta llogarisë sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›