E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të pushuar nga puna dhe një i tretë i pezulluar në burgun e Shën Kollit për verpimë të paligjshme

Dy punonjës të policisë së burgut të Shën Kollit në Lezhë janë pushuar nga puna nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa një tjetër është pezulluar për veprime që bien ndesh me ligjin. Këto masa janë marrë pas ngjarjes së ndodhur më 10 shtator në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, kur     punonjësit e policisë mendohet se kanë vepruar në kundërshtim me rregulloren e brendshme të burgut, gjatë  ndërhyrjes për shuarjen e një konflikti midis disa të dënuarve. Në një njoftim, shpërndarë sot për mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, bëhet e ditur se pas evidentimit të ngjarjes në burgun e Shën Kollit, është marrë masa administrative me pushim nga puna për dy punonjës policie, ndërsa për një tjetër është marrë masa administrative e pezullimit për një periudhë kohore prej 3 muajsh. Gjithashtu, në kuadrin e këtyre masave, Drejtori i bugut të Shën Kollit dhe Shefi i Sigurisë në këtë institucion janë paralajmëruar me masën administrative largim nga detyra, në rast të përsëritjes së ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Nëpërmjet njoftimit zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve,  siguron se është e vendosur që të marrë të gjitha masat e nevojshme jo vetëm për të garantuar liritë dhe të drejtat e personave që vuajnë dënimin në IEVP në të gjithë vendin, por të zbatojë me rigorozitet ligjin ndaj të gjithë atyre punonjësve të cilët nuk zbatojnë rregulloret e brendshme apo kryejnë veprime në kundërshtim me ligjet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›