E Diel, 1 Nëntor 2026

Nju Jork, Berisha fton Obamën në Shqipëri

Ftesa është bërë në pritjen e dhënë nga Presidenti amerikan për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive, të cilët marrin pjesë në sesionin e Asamblesë së OKB-së. Berisha takim të përzemërt dhe me presidentin serb Boris Tadic. 

NJU JORK- Kryeministri Berisha fton presidentin amerikan Barak Obama të vizitojë Shqipërinë. Ftesa është bërë në pritjen e dhënë nga Presidenti amerikan Barack Obama për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive, të cilët marrin pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pritja u organizua në orën 19.00 të mbrëmjes në Metropolitan Museum of Arts.

Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Obama kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë pritje dhe për takimin e ngrohtë me Presidentin Obama.

Nga ana e tij, Presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht Kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Cikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ta mbresat më të mira.

Kryeministri Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të Presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për axhendën e tij.

”Te Shqipëria- iu drejtua Berisha Obamës- do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim,”- u shpreh Kryeministri Berisha.

Nga ana e tij kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se do ta shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri.
Edhe zonja Mishel Obama u shpreh e kenaqur për këtë ftesë- thuhet në njoftimin e publikuar në faqen online të Këshillit të Ministrave

Në këtë pritje Kryeministri Berisha u takua dhe me Kryeministrin e Japonisë, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare në Presidencën Obama, Gjeneralin James Jones, Kryeministrin e Holandës Balkenende, Kryeministrin e Danimarkës, Kryeministrin e Suedisë, Presidentin e Serbisë Boris Tadic, e Presidentin e Zvicrës, e të Panamasë dhe me shume kryetarë shtetesh e qeverish të pranishëm. 

Në lidhje me takimin me presidentin serb Boris Tadic, zyra e shtypit në Kryeministri e cilëson si një takim të “përzemërt”. Në takim u ra dakord që me përpjekjet e përbashkëta të intensifikohen marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe të ketë shkëmbim të vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve.”- shkruhet në njoftimin e Kryeministrisë 

 (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›