LSI kërkon përfaqësim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
Ndryshimet e ndodhura në skenën parlamentare pas vitit 2009 kanë shtruar nevojën e ndryshimeve në përfaqësimin e partive në administrimin zgjedhor. Cilado qoftë sfida e ardhshme elektorale, ajo po sjell me vete problemin politik të zëvendësimit të rolit që disa parti kanë pasur në procesin e administrimit me disa subjekte të tjera si LSI-ja. Kështu dje, sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Luan Rama, ka deklaruar për “TV Alsat”, se raportet e reja parlamentare i japin të drejtë kësaj force të kërkojë përfaqësim edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Kërkojmë atë që jep Kodi Zgjedhor dhe të cilën LSI-ja e ka kërkuar edhe më parë...natyrisht që ne do të insistojmë dhe pa dyshim do të gjejmë mbështetjen edhe te deputetët e tjerë për gjithçka që na takon", deklaroi Luan Rama. Në fakt, kjo e drejtë e artikuluar prej tij kërkon interpretim të neneve 14, 18 dhe 29 të Kodit aktual Zgjedhor. Këto dispozita rregullojnë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërprerjen e mandatit të tyre dhe emërimin e anëtarëve të Komisioneve të Zonës së Administrimit Zgjedhor. Ende nuk është e qartë sesi do të largohen nga detyra e tanishme anëtarë të KQZ-së që përfaqësojnë p.sh. Partinë Social-Demokrate, e cila në 2009-n nuk fitoi asnjë mandat në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo, pasi Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë se cilat janë arsyet e ndërprerjes së mandatit 4-vjeçar të një anëtari të KQZ-së, çka lë të mendosh se rruga më logjike në realizimin e këtij operacioni do të jetë pikërisht miratimi i Kodit të ri Zgjedhor.
#