E Diel, 1 Nëntor 2026

Plehrat e qytetit, dy kryetarë vendorë në garë për vendosjen

Elbasan Kreu i bashkisë dhe i këshillit të qarkut, dy variante të ndryshme për landfillin

Dy krerë të institucioneve vendore në qytetin e Elbasanit, janë vënë në “garë” për përcaktimin e vendgrumbullimit të plehrave urbane. Ndërsa Bashkia mbron variantin për ngritjen e një landfilli të ri brenda territorit të qytetit, këshilli i qarkut propozon zhvendosjen e vendgrumbullimit të plehrave rreth 20 km larg qytetit.

Propozimet

Jo shumë kohë më parë, kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, hodhi idenë e ngritjes së një landfilli në jug të Metalurgjikut, buzë lumit të Shkumbinit, që sipas tij është në gjendje të gatshme dhe shumë më afër qytetit. Ndërkohë që kreu i qarkut, Blendi Himçi, ka hedhur poshtë propozimin e kreut të bashkisë, duke thënë se në këtë mënyrë do të ndotej lumi i Shkumbinit. Në këtë kuadër, këshilli i Qarkut të Elbasanit ka propozuar ndërtimin e fushës së grumbullimit të mbetjeve urbane në Dama e Paprit, territor i kësaj komune, që mendohet të ketë një kapacitet jashtëzakonisht të madh dhe të jetë i vlefshëm për një shekull. Në këtë vend do të kishte mundësi për hedhjen e plehrave dhe të mbetjeve të tjera urbane, edhe për qytetet e Gramshit, Cërrikut dhe Belshit. “Të gjitha mbetjet urbane të Qarkut të Elbasanit, në rast se miratohet ky projekt, do të grumbullohen dhe përpunohen në këtë vend. Ai ka qenë ndërtuar nga specialistët kinezë rreth 30 vjet përpara për mbetjet teknologjike të Metalurgjikut, por ndodhet rreth 20 kilometra larg dhe kërkon një rrugë të re shtesë”, ka shpjeguar kreu i qarkut, Himçi. Ndërsa kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, vazhdon me idenë e tij për ndërtimin e një landfilli në ish-kombinatin metalurgjik, i cili parashikohet të funksionojë për rreth 50 vjet dhe që nuk është më tepër se 7 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Ndërkohë, Sejdini ka sqaruar se propozimi i Këshillit të Qarkut për Damën e Paprit, nuk mund të pranohet edhe për faktin se kjo zonë i është dhënë me koncesion një firme ruse për shfrytëzimin e shllamit (mbeturina kimike viskoze nga ish-Metalurgjiku). Sidoqoftë, Bashkia e Elbasanit për dhjetëra vite me radhë, vazhdon të operojë me një landfill, të trashëguar rreth 50 vjet më parë, i pozicionuar midis lumit Shkumbin dhe pjesës jugore të banuar të qytetit, që për fat të keq është shndërruar në ndotësin më të madh për banorët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›