LSI, pse ishte i pamundur qëndrimi në opozitë
Kreu i LSI-së tha se në rast të krijimit të maxhorancës Berisha-Rama, qëndrimi i LSI-së në opozitë do të ishte joefikas për vetë faktin se kjo forcë politike do të kishte vetëm 4 deputetë në Parlament, për shkak të manipulimit që iu bënë votave të saj. “Nuk ka rrugë tjetër, sepse unë do të isha i gatshëm të qëndroja në opozitë, por me këtë sakatim që ka ardhur nga Kodi dhe nga shumë veprime të tjera, a mundet të qëndrojë LSI-ja e vetme në një opozitë ndaj një maxhorance PD-PS, apo Berisha - Rama dhe a do të ishte efektive për vendin dhe për kontrollin e qeverisë një opozitë me 4 deputetë, pavarësisht se një nga këta deputetë del me 20 mijë vota, ashtu sikurse edhe në 2005-n, ndërsa të tjerët kanë një deputet me 400 vota. Asgjë nuk ndryshon tek Ilir Meta dhe te LSI-ja. Unë do të jem socialist, por para se të jem socialist, jam shqiptar dhe kam përgjegjësi në këto momente për të marrë përgjegjësitë për të ardhmen”, - tha Meta.
Meta: “Marrëveshja me Ramën prodhon vetëm krizë”
Nisur nga mandatet në Parlament, kreu i LSI-së e cilësoi të pamundur një marrëveshje me Edi Ramën. Sipas tij, kjo marrëveshje prodhon vetëm krizë. “Marrëveshja Rama-Meta është e pamundur dhe prodhon vetëm krizë, asgjë tjetër. Unë s’mund të kontribuoj për të gjitha arsyet që përmenda në deklaratën time dhe që janë të konsultuar shumë mirë, krizë të mëtejshme për Shqipërinë dhe në kuadër të krizës ekonomike globale, kur të gjithë kërkojnë mesazhe stabiliteti për të ardhmen”, - theksoi Meta.
Profili politik i Ilir Metës
Pjesëmarrës aktiv në vitin 1990 në Lëvizjen Studentore që përmbysi regjimin komunist
Nga viti 1992 e në vazhdim, Ilir Meta është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë
Iir Meta është njëri ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH), nënkryetar në vitet 1992-1995 dhe kryetar në vitet 1995-2001
Anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit 1992, anëtar i Kryesisë së Partisë nga viti 1993
Gjatë periudhës 1997-1998 ka qenë kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës
Në periudhën 1993-1996 Ilir Meta ka mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994-1996 edhe atë të sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Kryeministër i vendit gjatë periudhës nëntor 1999 - shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si kryeministër, shator 2001 - shkurt 2002
Në shkurt 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorancës politike dhe qeverisëse, dha dorëheqjen nga detyra
Gjatë periudhës korrik 2002 - korrik 2003, zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme
6 Korrik 2009