E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI sfidon Ramën: Nëse fiton e majta, kryeministër do jetë Meta

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se nëse zgjedhjet e 23 qershorit i fiton koalicioni i majtë ku bën pjesë bashkë me PS dhe 35 parti të tjera, kryeministër nuk do të jetë Edi Rama, por Ilir Meta.

Pohimin e bëri dje në Berat, z.Nasip Naço, deputet i Beratit dhe ish-nënkryetar i Kuvendit e ministër i koalicionit Berisha-Meta. LSI zhvilloi një takim në sheshin qendror të qytetit të Beratit, në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në këtë.

Z.Naço theksoi se Ilir Meta “është kryeministri më i suksesshëm i së majtës” duke shtuar këtu se Meta “është lideri i së majtës”.

Menjëherë më pas, z.Naço tha: “Më 23 qershor Ilir Meta do të jetë kryeministër i Shqipërisë dhe do të bëjë më shumë se gjithë të tjerët”. Duke theksuar faktin se z.Meta ka lindur në Skrapar, z.Naço tha: “Ai është djali juaj, ka lindur në këtë Qark dhe do të bëjë për ketë qark”.

Deklarata e z.Naço e bërë dje nga Berati në mitingun ku z.Meta foli gjatë mbi atë që ai e cilësoi qeverisje e re pas 23 qershorit, vjen në momentet kur paralelisht kreu i PS, po premton në të gjithë vendin se nëse fiton koalicioni i majtë, do të jetë ai kryeministër i ri i vendit.

Ndërkohë, z.Rama konsiderohet si lider i të majtës shqiptare, por deklarata e z.Naço dje në Berat e vë në pikëpyetje këtë emërtim për Ramën, pasi për LSI, z. Meta “është lideri i së majtës”.

Meta flet për pas 23 qershorin

Në mitingun e djeshëm, pas z.Naço që e shpalli kandidat për kryeministër, ka folur edhe kreu i LSI, Ilir Meta. Duke prezantuar kandidatët e kësaj partie, në Qarkun Berat, z.Meta deklaroi është koha për rotacion, “për të ecur më shpejt drejt një modeli të zhvillimit ekonomik që rrit prodhimin dhe kapacitetet eksportuese të të gjithë Shqipërisë”. “Më 24 qershor do të gdhihemi të gjithë bashkë, edhe me demokratët, dhe do të jemi të gjithë fitimtarë sepse ne do t¢i japim fund, një herë e përgjithmonë politikës që armiqëson beratasit dhe që armiqëson shqiptarët me njëri-tjetrin”, - tha z.Meta duke “vulosur” kështu deklaratën e Naços që e shpalli kandidat për kryeministër të aleancës së majtë. “Me ne të gjithë do të jenë të fituar”, - shtoi z.Meta.

Në këtë kuadër ai tha se “na duhet një qeveri e përgjegjshme dhe energjike, e cila i kupton sfidat e vështira që ka ekonomia jonë dhe është e gatshme të ndërmarrë reforma strukturore të guximshme. “Nuk duam një qeveri që i ndan shqiptarët në demokratë dhe socialistë, në demokratë dhe të majtë, në blu apo të kuq, sepse në të gjithë thithim të njëjtin ajër, shkelim dhe ecim në të njëjtat rrugë, jetojmë në të njëjtën shoqëri, e cila ndan të njëjtat halle dhe shqetësime, ku problemi kryesor është ai i punësimit”, - tha z.Meta. Kurse shtoi: “Shqiptarët kërkojnë një lidership politik që nuk flet për mrekulli ekonomike imagjinare por një lidership me këmbë në tokë që flet për njerëzit e zakonshëm dhe që kujdeset për hallet e tyre të përditshme”. Dhe në funksion të kësaj teze, konkludoi: “Prandaj është koha për rrotacion, është koha për ndryshim, është koha për të ecur më shpejt drejt një modeli të zhvillimit ekonomik që rrit prodhimin dhe kapacitetet eksportuese të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të garantojmë një punësim të sigurt dhe afatgjatë. Është koha të ecim më shpejt përpara drejt një progresi shoqëror, që shëron plagët e varfërisë dhe krijon vende të reja për të gjithë qytetarët, që e vendos shtetin mbi pushtetin dhe pushtetin në shërbim të qytetarëve dhe LSI ka një vizion të qartë dhe një plan konkret”, - tha z.Meta.

Kritikat e Metës për Berishën

“Dje kur po kthehesh nga Durrësi dëgjova një zë të njohur, i cili i premtonte Beratit se turizmi do të rritej në Berat 400 % gjatë katër viteve që do të vinin. Vërtetë u habita akoma më tej kur pashë se ky zë i njohur i taktonte kryeministrit në largim, i cili e ka diskriminuar për fat të keq Beratin dhe të gjithë këtë qark si asnjë qytet dhe asnjë qark tjetër në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 8 viteve. Ai dhe qeveria e tij jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin tuaj dhe shqetësimet tuaja, por njëkohësisht nuk kanë dëgjuar as zërin tim, as zërin e deputetit të Beratit gjatë këtyre viteve, Nasip Naçon në Parlament dhe kudo, për të treguar jo ndonjë dashuri shumë të madhe për Beratin për Skraparin dhe për Kuçovën. Sepse atij i ka mbetur ora për fat të keq në këtë qark në referendumin e vitit 1994. Po të tregonte kujdesin më minimal, të tregonte përgjegjshmërinë dhe dhembshuri të pakët që mund të tregohej ndaj këtij populli, por edhe ndaj vlerave të jashtëzakonshme kulturore, muzeale dhe historike që i takojnë qytetit të UNESCO-s”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›