LSI shkon me pushime para rikthimit në pushtet
Teksa procesi zgjedhor dhe shpallja e rezultatit zyrtar po afron selitë e partive politike pothuajse janë zbrazur. Drejtuesit e tyre janë larguar me pushime pas një fushate të gjatë dhe intensive. Kjo ka ndodhur dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pas zgjedhjeve, kjo forcë politike pranoi ftesën e Kryeministrit Berisha për të bashkëqeverisur me PD-në në katër vitet e ardhshme. Një veprim i tillë u komentua mjaft në qarqet politike dhe mediatike duke e vënë LSI-në në qendër të të gjitha debateve. Shpeshherë ato prodhoheshin dhe nga vetë drejtuesit e kësaj force politike pas konferencave dhe deklaratave politike që jepnin në media. Pas zyrtarizmit të marrëveshjes, Meta dhe Berisha pritet që të zhvillojnë një takim mes tyre për të qartësuar se cilat janë kërkesat e LSI-së në lidhje me përfaqësimin e saj në qeveri, pra cilat janë ministritë që ajo do të kërkojë të marrë në drejtim për katër vitet e ardhshme. Por këto negociata megjithëse u pritën që të zhvilloheshin pas pranimit të ftesës, nuk ndodhi kështu. Nga burime pranë qeverisë u mësua se Kryeministri Berisha preferon që deri në muajin gusht të mos ketë asnjë takim konkret me kryetarin e LSI-së, Meta për të mos krijuar pakënaqësi mes të tijve. Por kjo gjendje e "ngrirë" ka shkaktuar një situatë qetësie në selinë e LSI-së. Prej gati një jave nga kjo parti mungojnë deklaratat për shtyp, konferencat dhe opinionet duke lënë gjithçka pezull. Zëra brenda kësaj selie thonë se aktualisht nuk dinë çfarë të bëjnë, pasi gjithçka mbetet në pritje të takimit mes dy krerëve kryesorë Metës dhe Berishës. Selia e LSI-së ka rënë në qetësi. Mungojnë vizitat e krerëve të lartë të kësaj force politike, të cilët duke shfrytëzuar situatën e krijuar janë larguar për disa ditë pushime. Pjesa më e madhe i janë drejtuar bregdetit shqiptar së bashku me familjet e tyre dhe po këtë gjë ka bërë edhe kryetari i partisë, Ilir Meta, i cili së bashku me familjen po pushon në plazhin e Dhërmiut. Dje, në ambientet pranë LSI-së është parë vetëm sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, i cili ka preferuar të pijë një kafe me miqtë dhe është larguar pa u ngjitur fare në zyrën e tij të punës, duke lënë rreth e rrotull selisë së partisë pak militantë të cilët kafen e mëngjesit kanë preferuar ta pinë në lokalin pranë LSI-së. Më shumë se zhvillimeve politike konkrete tashmë vendi u ka mbetur thashethemeve të mundshme se cilat do të jenë ministritë që LSI-ja do të marrë nën drejtimin e saj dhe emrat e mundshëm që mund të zgjedhë kryetari i partisë, Meta, për t‘i vënë në drejtimin e tyre. Ndërsa nga demokratët pritet të shohin se çdo të mbesë nga copa e tortës së pushtetit dhe cilët emra do t‘i marrin në drejtim ato, pasi mësohet se një pjesë e mirë e këtyre ministrave nuk do të përfaqësohen më në qeverinë e re.