E Diel, 1 Nëntor 2026

"Profesioni", ish-politikanët fillojnë të shkruajnë libra

Spektri i politikanëve "VIP"-a , të cilët nga zgjedhjet e 28 qershorit ngelën jashtë Parlamentit, po nisin karrierën e tyre duke iu futur botës së librit. Profesioni i ri i ish-politikanëve është ai i shkrimtarit. Aleksandër Meksi, Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Aleksandër Biberaj dhe Preç Zogaj do t‘u përkushtohen gjatë muajve të verës dhe atyre në vazhdim krijimtarisë artistike. Besnik Mustafaj, pas largimit të përkohshëm nga politika, është duke punuar për romanin e tij të ri. Mustafaj i rikthehet profesionit të tij të vjetër, duke përgatitur një roman, për të cilin nuk do të zbulojë detaje të mëtejshme veç faktit që pritet të përfundojë ditët e fundit të muajit nëntor dhe të botohet në treg në janar-shkurt 2010. Ish-kryeministri Aleksandër Meksi, pasi nuk mundi dot të rihyjë në Parlament nën siglën e LZHK-së, pritet të vazhdojë projektet e lëna përgjysmë për botimin e një libri, ku në fokusin e tij do të jetë politika. Projekti i ri i Meksit ka nisur përpara zgjedhjeve të 2009-ës dhe pritet të finalizohet shumë shpejt në një libër. Detajet e librit të ish-kryeministrit Meksi priten të bëhen shumë shpejt publike, kur megjithëse përmbajtja e tij do të jetë politike, pritet të ‘zbërthehen‘ mjaft situata që kanë sjellë përplasje dhe ngjarje në arenën politike. Ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, është duke "shijuar" frytet e librit të tij që nxori në treg pak javë përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. "Përfaqësuesit e Vlorës në Parlament 1912-2009", ishte libri me të cilin Bujar Leskaj botoi disa javë më parë. Projekti i ardhshëm i ish-deputetit të PD-së, Bujar Leskajt, është botimi i diskutimeve parlamentare mes periudhës maj 2007 - maj 2009 në Kuvend. Një prej zërave aktivë të kampit demokrat, i cili ishte i "pafat" në zgjedhjet e 2009-ës pritet të risjellë një tjetër libër politik për lexuesit, ku do të tregojë jetën parlamentare që prej vitit 2007 deri në 2009-ën. Në të njëjtat gjurmë si Mustafaj, Meksi dhe Leskaj, duket se është edhe e ardhmja e ish-deputetit të Tropojës, Aleksandër Biberaj. Duke vazhduar punën si pedagog, ish-deputeti Biberaj pritet të nxjerrë në treg një libër për ekonominë dhe inxhinierinë. Sipas Biberajt, ky libër do të shërbejë për të instruktuar studentët e tij. Po kështu, si kolegët e njëjta e ardhme do të jetë edhe për Preç Zogajn. Ish-deputeti Zogaj, i cili edhe gjatë viteve 2005-2009 nuk është shkëputur nga profesioni i tij i shkrimtarit, pritet të sjellë në treg romanet e tij. Ish-politikanët e spektrit demokrat i futen botës së librit, por pa pranuar në mënyrë absolute se i kanë mbyllur hesapet me politikën, duke pritur rikthimin një ditë në partinë tek e cila kanë shërbyer për vite me radhë. Eksperienca e atyre që largohen nga Partia Demokratike ka treguar se një pjesë e tyre janë rikthyer sërish në partinë që kanë shërbyer, duke lënë në harresë kritikat dhe akuzat e bëra ndër vite. Një pjesë e politikanëve të vjetër zgjodhën rrugën e emigrimit, si rasti i Selamit, duke mos mundur në këtë mënyrë të infiltrohen sërish në politikën e brendshme të PD-së, ndërsa "demokratët e larguar" nga zgjedhjet e 2009-ës vendosën t‘i futen botës së krijimit për të zëvendësuar përkohësisht profesionin e politikanit me atë të shkrimtarit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›