E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, emrat më të preferuar

Demokratët nisin të hedhin grepat për të peshkuar karrigen e ministrit. Ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha ka perifrazuar disa herë se nuk do ta ndryshojë qeverinë e tij deri në fillimin e shtatorit, qeveria e re ka nisur të projektohet brenda kampit blu. Personat më të kuotuar brenda Partisë Demokratike për të formuar qeverinë e integrimit europian kanë shtuar dozën e komunikimit me kreun e Partisë Demokratike. Shumica e demokratëve që pretendojnë të ulen apo të mbajnë karrigen e ministrit nuk kanë preferuar t‘i largohen Tiranës, siç duket për të pasur gjithçka nën kontroll. Përpos kësaj, përplasja brenda llojit pritet të përshkallëzojë tensionin në prag të formëzimit të qeverisë së integrimit europian. Emrat me më shumë kredite për t‘u përfshirë në qeveri janë demokratët që kryesuan listën e kandidatëve për deputetë në të 12 qarqet e vendit. Nënkryetarja Jozefina Topalli është emri më i lakuar brenda spektrit demokrat për t‘u ulur në karrigen e shefes së diplomacisë shqiptare. Lulzim Basha, një prej figurave më të suksesshme të KOP-it, i cili arriti të infiltrohet mirë në Partinë Demokratike pritet të ketë sërish një vend favorit në qeverinë e re. "Beteja" e tij personale është mes Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme, në rast se kjo e fundit nuk do të lihet në dorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në kabinetin "Berisha" priten të rikthehen dy ish-ministrat, Ilir Rusmali dhe Aldo Bumçi. Hyrjet e reja priten të jenë Rajmonda Bulku, Myqerem Tafaj dhe Ferdinand Xhaferri. Të gjitha kërkesat dhe ambiciet e demokratëve ashtu si më parë do të varen nga kërkesat e aleatëve. Sokol Olldashi do të vazhdojë të qëndrojë në qeverinë "Berisha" në të njëjtin pozicion dhe po të njëjtin fat do të ketë edhe kryesuesi i listës për Qarkun e Korçës, Ridvan Bode, në Ministrinë e Financave. Ministrat aktualë që priten të lënë karrigen e anëtarit të Këshillit të Ministrave janë Lufter Xhuveli, Anila Godo, Fatos Beja dhe Ardian Turku.

Republikanët dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim pritet të marrin ‘shpërblimin‘ e Kryeministrit Berisha për dy numrat që ofrojnë për ndërtimin e mazhorancës në Kuvend. Nëse ende nuk është skicuar posti që pritet të lihet për PDI-në, republikanët kanë nxituar për të kërkuar Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Integrimit. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi katër ministri nga negociatat paraprake me Partinë Demokratike. Në "shënjestrën" e LSI-së janë: Ministria e Brendshme, Ministria e Integrimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Energjetikës. Burime pranë kampit demokrat nga ana tjetër sqarojnë se do të jenë maksimumi dy ministri që do të lihen për t‘u drejtuar nga LSI-ja, e cila përpos kësaj do të ketë edhe 4 vende zv/ministrash në qeverinë e re që do të përbëhet nga 14 portofola ministrorë. Petrit Vasili, Edmond Haxhinasto dhe Dritan Prifti janë ndër emrat më të lakuar për të marrë post ministror nga LSI. Pikëpyetja më e madhe e demokratëve është fakti nëse Berisha do t‘i besojë apo jo Ilir Metës drejtimin e Parlamentit të ardhshëm. Me gjithë refuzimin e Vangjel Dules për t‘u bashkuar me PD-në dhe batutës së Berishës "Kujdes Vangjel!", demokratët pritet të ofrojnë një post ministror të rëndësishëm për partinë e minoritetit grek. Kryeministri Berisha ka mohuar kategorikisht ndarjen e dikasterit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Tregtisë nga ajo e Energjetikës, për të kënaqur ‘aleatët‘ e tij. Kërkesa e hershme e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë katër viteve të bashkëpunimit me Partinë Demokratike pritet të rishfaqet sërish, por këtë herë nga demokratët ndaj PBDNJ-së për të marrë edhe një votë më shumë në Kuvend. Deri tani PBDNJ vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj se nuk do të bashkohet me Partinë Demokratike, por deri në fund, partia që gjithmonë ka bërë koalicion me forcën që mban pushtetin ka edhe 45 ditë kohë për të dhënë verdiktin e saj.

Mandati i parë

Odiseja e qeverisë

"Berisha" më 2005-2009

Kreu i PD-së, Sali Berisha, pritet të vazhdojë serialin e ndryshimeve në qeveri, tashmë që koalicioni i tij me ndihmën e LSI-së siguroi shumicën për të qeverisur vendin. Odiseja e ndryshimeve të kabinetit "Berisha" e ka zanafillën e saj te rezultati i zgjedhjeve të 18 shkurtit dhe te përfshirja në kabinetin qeveritar të demokristianëve. Hyrja në kabinet e Majlinda Bregut, Ylli Pangos, Gazmend Oketës, Bujar Nishanit dhe Nard Ndokës u pasua nga largimi i Besnik Mustafajt nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme. Ky largim risolli në qeveri Sokol Olldashin dhe vendosi Lulzim Bashën në krye të dikasterit të diplomacisë shqiptare. Qeveria ‘tronditet‘ nga një tjetër largim, që ishte ai i Ilir Rusmalit dhe më pas ‘shpërthimi‘ i Gërdecit lë jashtë qeverisë për disa muaj republikanët, të cilët përfaqësoheshin me Fatmir Mediun. Pas Gërdecit, ndryshimet në qeveri ishin një kozmetikë pas presionit të republikanëve për të marrë sërish karrigen e ministrit. Anila Godo, ishte prurja e republikanëve në kabinet, që solli gjithashtu edhe modelet perëndimore, ku politikanët e vjetër lënë në dorë të fëmijëve të tyre të ardhmen e politikës dhe pushtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›