E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI shpall një profil intelektual për strukturat e reja të kryeqytetit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Luan Rama dhe dy kandidatët për kryetar të degës së LSI-së në Tiranë, Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti zhvilluan dje një takim me strukturat e LSI-së në njësinë nr. 1 në Kryeqytet. Takimi me strukturat drejtuese dhe anëtarësinë e LSI-së u zhvillua në kuadër të fazës së ristrukturimit dhe zgjedhjeve brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në fjalën e tij, Kryetari i LSI-së z. Ilir Meta u ndal në procesin e riorganizimit që synon forcimin e partisë dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Meta theksoi se ky proces do të sjellë një ridimensionim të LSI-së jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë vendin.
“Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë me energji të reja”, u shpreh Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.
Meta u ndal dhe në fazën konkrete të zgjedhjeve brenda partisë. Ai vlerësoi profilin intelektual dhe qytetarë të kandidatëve për LSI-në e Tiranës, Panariti e Rrokaj.
“Ky do të jetë një proces i hapur, një proces që do të analizojë disa elementë së bashku dhe që do t’i shërbejë forcimit dhe konsolidimit të kësaj strukture, kaq të rëndësishme për të gjithë Lëvizjes Socialiste për Integrim në vend”, u shpreh ndër të tjera Lideri i LSI.
Sipas z. Meta “në gjithë këtë proces Lëvizja Socialiste për Integrim e Kryeqytetit, përveç edhe problematikës që ka të bëjë me qeverisjen e vendit, me rolin dhe kontributin që LSI-ja ka dhënë aktualisht, por që mund të japë dhe duhet të japë akoma më shumë edhe në të ardhmen, do të ketë në qendër të vëmendjes edhe problematikën e shumtë vendore të Kryeqytetit, por edhe të gjithë komunitetit dhe komuniteteve të veçanta të Tiranës.
Nga ana tjetër, Ilir Meta vlerësoi se në gjithë vendin, zgjedhjet për strukturat e LSI-së “do të zhvillohen në me transparencë”, duke evidentuar nivelin e lartë të demokracisë së brendshme në parti.
Në përfundim Kreu i LSI-së, Ilir Meta theksoi se problematika e pushtetit vendore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve do të jetë fokusi ku do të përqendrohen platformat e kandidatëve të LSI-së për kryeqytetin, por edhe për gjithë pushtetin vendor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›