LSI, të merren masa për zonat e izoluara nga dëbora
TIRANE- Lëvizja socialiste për integrim ka kritikuar qeverinë në lidhje me masat që janë marrë për ti bërë ballë situatës së shkaktuar nga moti i keq i ditëve të fundit.
Përmes një konferencë për gazetarët, nënkryetarit të LSI, Prof.dr.Sokol Axhemi tha se situata të tilla kërkojnë që vetë Kryeministri të ngrejë dhe të drejtojë një Shtab Emergjence, për përballimin e situatës, pasi nuk mjafton demagogjia dhe deklaratat mediatike, por nevojiten ndërhyrje urgjente dhe efikase në zhbllokimin e rrugëve, furnizimin me ushqime dhe me energji elektrike të banorëve të izoluar, kujdesin shëndetësor dhe akordimin e një fondi të posaçëm për ti ardhur në ndihmë pushtetit vendor të këtyre zonave.
Në deklaratë thuhet se ky është një nga dështimet e qeverisë që në fillim të vitit. Sipas LSI-së ,kjo qeveri nuk ka përgjegjshmërinë e duhur për tu bërë ballë emergjencave. Për më tepër, nënkryetari i Partisë Socialistë për Integrim ka shprehur shqetësim në lidhje më gjendjen e vështirë duke bërë të ditur sinjalizime që kanë ardhur në LSI. “Nga informacioni që kemi nga degët tona në rrethet e izoluara nga dëbora, si dhe nga këshilltarët tanë pranë Pushtetit Vendor të Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Kukësit, Hasit, Peshkopisë, Bulqizës, Matit, Korçës, Ersekës, etj, popullata e këtyre zonave po ndeshet me probleme serioze që kanë të bëjnë
me pamundësinë e qarkullimit, mungesën e sigurisë në rrugët automobilistike, problemet me furnizimin e energjisë elektrike, shërbimet shëndetësore, etj”- ka thënë Axhemi.
I pyetur për procesin e pajisjes me karta identiteti, Axhemi është shprehur se zvarritja e këtij procesi rrezikon standartet e zgjedhjevedhe se pajisja e shqiptarëve me karta indentiteti është dhe një ndër kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
(e.nurcelli / Balkanweb )