E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH publikon udhëzimet për studimet "Part- Time"

I gjithë procesi do të monitorohet nga administrata e Rektoratit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri publike dhe udhëzimin për rishpërndarjen e kuotave të parealizuara. 

TIRANE- Nga dita e sotme, Universitetet publike do të shpallin datat dhe oraret e veprimeve të konkurrimit dhe regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim dhe njoftime të tjera të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme. I gjithë procesi do të monitorohet nga administrata e Rektoratit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri publike dhe udhëzimin për rishpërndarjen e kuotave të parealizuara dhe regjistrimin për ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme (Part- time) në Universitetet publike shqiptare.

Sipas udhëzimit të MASH, përzgjedhja e kandidatëve për këto programe studimi me kohë të pjesshme sipas programeve të studimit dhe Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë përkatës për itin akademik 2008-2009 do të bëhet nga vetë Institucionet publike të Arsimit të Lartë, (Universitetet), sipas kritereve akademike të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht dhe kuotave të përcaktuara. 

Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, do bëhet pranë sekretarive mësimore të Univesriteteve dhe do të shoqërohen me Dëftesën e Pjekurisë së shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlefshme me të; Dokument identifikimi ( çertifikatë lindje me fotografi ose pasaportë), 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë, si dhe deklarata personale e kandidatit.
Ndërkohë, brenda orës 12.00 të datës 9 janar, Universitetet publike duhet të afishojnë listat e të gjithë aplikantëve të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të fituara në përputhje me kriteret akademike të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht, në vende të dukshme, në mjediset e tyre.

Regjistrimi i kandidatëve fitues në programet e studimit me kohë të pjesshme, do të kryhet nga data 10-13 janar, nga ora 08.00 deri në orën 16.00 pranë sekretarive përkatëse të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.

Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, kuotat e parealizuara do të plotësohen nga Universitetet publike në datat 21-23 janar. Më tej, Universitetet publike do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në datën 31 janar listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar, në të cilat evidentohet dokumenti shkollor mbi të cilin është bërë regjistrimi, bënë të ditur burimet zyrtare të MASH-it .

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›