E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillimi i vitit, nafta shënon ulje në tregun shqiptar

Autori i Lajmit: red.
Edhe pse në bursën ndërkombëtare çmimi i një fuçie naftë regjistroi për vitin 2009 një rritje duke shkuar 44,6 $, tregtarët e karburanteve në Shqipëri e kanë ulur çmimin që ka pasur më parë. Ky është një ndër rastet e ralla që në vendin tonë nuk abuzohet në këtë fushë. Më tepër është ulur nafta e cilësisë së dytë apo si quhet ndryshe D2, e cila ka rënë me 5 lekë, ndërsa cilësia e parë dhe benzina janë ulur me nga 2 lekë. Për një fenomen të tillë është shprehur para disa kohësh edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha se i vetmi abuzim që ndodh me hidrokarburet në vendin tonë është ai që, kur rritet çmimi në bursa, edhe këtu rritet menjëherë. Por këtë vit ka ndodhur e kundërta në krahasim me ditën e fundit të vitit 2008 një litër naftë e cilësisë së parë (eurodiesel) në Tiranë shitet mesatarisht me 112 lekë, ndërsa një litër naftë e thjeshtë (apo diesel) shitet me 106 lekë dhe benzina me 107 lekë. Një dukuri e tillë e uljes së çmimit të arit të zi ka rreth një muaj që po ndodh, madje ka raste kur tregtarët e kanë ulur atë pothuajse çdo dy ditë. Por shqetësimi i vetëm për momentin mbetet ai i tregut të shumicës, ku me ndryshimin e standardeve të cilësisë që në ditën e parë të këtij viti nuk lejohet më importi i cilësisë së dytë, për këtë gjë ka reaguar edhe autoriteti i konkurrencës, pasi Komisioni i Konkurrencës e cilësoi këtë ligj të ri si kufizues të konkurrencës. Në gjashtë muajt e fundit çmimet e karburanteve në vend janë ulur afro 12 herë, me një shumë prej afro 45 lekë për litër.

Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›