LSI zapton spitalet me personel shëndetësor e diploma false
Në shërbimin shëndetësor të rrethit Durrës, në të gjitha hallkat komandon LSI, në drejtim të cilit kanë sjellë mafiozë të vërtetë që janë nga e njëjta kategori e mos më keq se drejtori i QSUT-së Ilir Dashi. Përpos kësaj në një material të dërguar në adresën
e gazetës SOT konfederata e sindikatave të QSUT-së e më saktësisht vetë disa prej infermierëve të spitalit të Durrësit kanë denoncuar korrupsionin e hapur jo vetëm në këtë spital por edhe në QSUT, ku një vend punë është kthyer së fundmi në Pazar. E jo vetëm kaq por në mënyrë të drejtpërdrejtë në informacionin dërguar gazetës infermierët i referohen faktit se LSI ka zaptuar spitalet duke e punësuar shumicën e personelit me nga 2000 euro dhe vetëm nëse janë simpatizantë ose kanë studiuar në shkollën për infermieri Medikon e cila sipas këtyre punonjësve është në pronësi të një prej drejtuesve të LSI-së. Ndër të tjera në dokumentin dërguar gazetës thuhet se vetë drejtori i spitalit të Durrësit është i përfshirë në afera që cenojnë urdhrin e infermierit e jo vetëm. Në material thuhet ndër të tjera se vetë drejtori i spitalit të Durrësit i sorollat infermierët për një vend pune por në mënyrë të tërthortë u ka kërkuar edhe ryshfet edhe pse një pjesë e madhe e infermierëve të punësuar në spital janë të pa specializuar, në shumë raste pa shkollë apo vetëm me kursin e stisur të shkollës Medikon e cila i zhvat infermierët duke u dhënë diploma fallco dhe aspak formim profesional. Sipas materialit këto diploma zakonisht janë të blera në mënyrë fiktive dhe shumica e punonjësve vazhdojnë edhe shkollën e në të njëjtën kohë punojnë, gjë e cila ka të bëjë direkt me konfliktin e interesit dhe për më tepër që shumica e infermierëve që dalin nga shkolla Medikon nuk bëjnë pjesë në urdhrin e infermierit. Infermierët denoncojnë përpos të tjerash, faktin se pasi në këtë shkollë u kanë marrë paratë e megjithëse diploma nuk u njihet nga ministria e arsimit ka probleme të mëdha me punësimin e këtyre infermierëve.
Problemet
Shërbimi shëndetësor në vendin tonë është një katrahurë e vërtetë. Gjendje e mjerueshme pa asnjë shpresë në një kaos të paparë, një model unikal në gjithë botën, edhe pse në spitalet tona shërbimet për pacientët nuk ngjasojnë me asnjë prej vendeve të tjera në botë. Mund të themi që jemi shumë mbrapa me hapat e ndërmarra në shëndetësi por jemi përpara shteteve të tjera për nga përmasat e fjalimet pompoze mashtruese për luftën kundër korrupsionit, ryshfetit duke i përqasur ato me hiperbola për arritje të mëdha. As më shumë e as më pak kjo është një prej fragmenteve të denoncimit të mbërritur në gazetën SOT nga Konfederata e Sindikatave të QSUT-së e cila dënon hapur korrupsionin e pazaret që kryhen nga mjekët e shefat e shërbimit mu në mes të Qendrës Spitalore Universitare Spitalore, e cila në mënyrë paradoksale mban emrin e të madhes Nënë Tereza, por që drejtuesit e këtij institucioni nuk kanë asgjë të ngjashme me figurën tepër humane të saj. Në materialin e dërguar gazetës, konfederata e sindikatave denoncon faktin se ka raste të panumërta të denoncimeve të familjarëve haptazi kundër mjekëve dhe infermiereve me akuza të rënda faktike për neglizhencë në punë që kanë shkaktuar pasoja me vdekje. Gjithashtu në material shkruhet se ti marrësh grave shtatzëna para në lindje dhe ti operosh ato pa arsye dhe logjikën klinike është një krim që nuk e bën as krimineli më i madh.
Denoncimi
Në lidhje me këtë konfederata e QSUT-së i drejtohet vetë ministrit Vasili duke sqaruar se vetë ai me kompetencat e paqena e papërgjegjshmërinë për korrupsionin e orvatjet e pafundme në shëndetësinë në vend i ka kthyer spitalet në fushë beteje. Ndër të tjera konfederata në materialin dërguar gazetës thekson se janë hapur kohët e fundit shumë kurse e shkolla për infermieret të cilat zakonisht janë piramida sepse çudia e madhe se aty ku janë drejtorë nga LSI i rekomandojnë tek shkolla e lartë Medikon, por nga ana tjetër këto diploma të marra, janë të pavlefshme dhe aspirantët për tu përgatitur si infermiere të ardhshëm paguajnë nga 2000 mijë euro për të marrë një diplomë false. Gjithashtu konfederata e sindikatave në QSUT, denoncon se shumica e këtyre shkollave që ofrojnë kurse dy apo tre vjeçare për infermieri nuk janë të akredituara, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë ka bërë publike se për infermieret me kurse tre vjeçare duhet të japin provime shtesë në shkollën e mesme.
Arta AGOLLI