Thaçi: Pas opinionit të GJND, Kosovën e presin njohje të reja
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij, mbajtur në samitin e Dubrovnikut tha se Kosova pret së shpejti një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth vendimit sovran për shpalljen e pavarësisë. Sipas tij, pas këtij opinioni, Kosovën e
presin njohje të reja ndërkombëtare. Besoj që ky opinion do të konfirmojë dhe qartësojë të drejtën legjitime të popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur, pas gjithë asaj çfarë i ka ndodhur. Pas këtij opinioni, Kosovën e presin njohje të reja ndërkombëtare. Do të dëshironim që edhe Serbia përfundimisht të demonstrojë bindjen e saj për realitetin e ri dhe të fillojmë bashkëpunimin e duhur si dy vende fqinje, theksoi kryeministri Thaçi. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Samitit Kroaci 2010-Evropa Juglindore në përballje me sfidat globale, pasi përkujtoi krizat me të cilat po përballet bota, dhe bindjen se zgjidhjet mund të arrihen vetëm më bashkëpunim, theksoi gatishmërinë e Kosovës që në këtë drejtim të luaj rolin e saj konstruktiv. Kosova tashmë e ka bërë të qartë orientimin e vet për bashkëpunimi me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë, tha kryeministri i Kosovës. Me shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova ka rikonfirmuar përkushtimin e saj si faktor stabiliteti në rajon. Pavarësia ka krijuar horizont të ri zhvillimor për popullin e Kosovës, dy vjet në historinë e ekzistimit të shtetit janë shumë pak. Por, për këtë periudhë kemi pasur avancim në sferën e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes ndërkombëtare. Republika e Kosovës tashmë është anëtare e plotë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore. Po ashtu, jemi në rrugë të mirë për anëtarësim në institucione tjera me karakter ekonomik dhe zhvillimor, nënvizoi Thaçi.
Sfera ekonomike
Kryeministri i Kosovës theksoi gjatë fjalës së tij, se në sferën ekonomike Kosova tashmë ka vënë themelet e shëndosha të një ekonomie të hapur me bazë tregun e lirë dhe konkurrencën. Këtë e shohim si mundësi dhe vlerë për perspektivën tonë afatgjatë dhe evropiane. Të gjitha, u shpreh ai. Thaçi përmendi se Kosova është në fazën e përmbylljes së programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe vazhdimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe fillimin e projekteve për përfshirjen e investimeve private edhe në ndërmarrjet strategjike të fushës së shërbimeve publike. Këto ditë jemi në përmbyllje të koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës së bashku me konsorciumin Francez dhe Turk Limak dhe Airport de Lion, tha Thaçi, në Dubrovnik sipas të cilit në sektorin e energjisë tanimë kanë përfunduar përgatitjet për hapjen e procesit të privatizimit të furnizimit dhe shpërndarjes.
Bashkëpunimi me Shqipërinë
Thaçi po ashtu përmendi se ka filluar ndërtimi i autostradës që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe me Serbinë, si pjesë e korridoreve rajonale dhe evropiane. Jemi duke punuar ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë për të finalizuar modelin e marrjes në shfrytëzim të Portit detar të Shën Gjinit, në Detin Adriatik, i cili do të mundësojë transportin më efikas të mallrave dhe njerëzve, duke e lidhur Kosovën me vendet e tjera të botës edhe përmes rrugëve detare, u shpreh Thaçi, duke shtuar se Kosova ka në proces të privatizimit ndërmarrjen më të madhe publike, Postën dhe Telekomunikacionin, që pritet të përmbyllet në fund të këtij viti.
Thaçi: Shkëmbimi territoreve, ide e keqe
Kosova nuk do të marrë në konsideratë asnjë shkëmbim territoresh me Serbinë për të zbutur tensionet në rajon, sepse një hap i tillë mund të ketë pasoja të gjera negative, deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij kjo është një ide e keqe, duke veçuar faktin se qëllimi i tij nuk është ndryshimi i kufijve, por integrimi në strukturat euro-atlantike. Nëse tolerojmë ndryshimin e kufijve, atëherë do të ketë një efekt zinxhiror dhe pasoja për tërë rajonin. Pasojat do të ndihen në Maqedoni, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë. Secili vend i rajonit ka Mitrovicën e vet, u shpreh Thaçi.
Franca kërkon nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd
Kryeministri i Francës, Francois Fillon shpreson që pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Kosovës, do të nisë gradualisht dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Fillon ka thënë se të gjitha shpresojnë që ky dialog do të sjellë qetësi në këtë pjesë të Evropës, pasi që sipas tij, ai do të forconte stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, ngaqë nevojitet që të vazhdohet me afrimin e Serbisë dhe të Kosovës me Bashkimin Evropian.