E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI&PS ’91: Kodi Zgjedhor kusht për bashkëpunimin me Edi Ramën

Për PS-në, çështja e Kodit është një kapitull i mbyllur

TIRANE - Edhe pse pikat e bashkëpunimit mes dy koalicioneve të së majtës në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit mbeten në teori të shumta, në praktikë dy partitë kryesore Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim shohin në drejtime të kundërta. Madje edhe “e përbashkëta” e vetme mbetet penegociueshmëria e Kodit të ri Zgjedhor por kjo në sense të kundërta.
Ndërsa për selinë rozë çështja e Kodit Zgjedhor është një kapitull tashmë i mbyllur dhe se sipas saj energjitë duhet të kanalizohen në monitorimin e procesit të përgatitjes së infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, për LSI-në Kodi Elektoral mbetet ende pika kyçe nga ku duhet të fillojë ose varroset përfundimisht mundësia e një bashkëpunimi para ose pas zgjedhor në lidershipin e PS-së.
Edhe dje kryetari i Partisë Socialiste 91, Petro Koçi është shprehur se e majta duhet të bashkohet në një koalicion të vetëm. Sipas tij përbërja e komisioneve që do të administrojnë zgjedhjet përbën një mundësi për bashkëpunimin mes PS-së, LSI-së dhe PS 91. Koçi gjithashtu propozon që nga anëtarët që ligji i cakton së majtës
PS-ja të zgjedh përfaqësues të LSI-së dhe PS 91.
Në të njëjtën linjë ka qenë
dje edhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në LSI, Luan Rama. I pyetur mbi hapësirat e bashkëpunimit ne gjirin e së majtës, ai bëri përgjegjës kryesocialistin Edi Rama për ngushtimin e tyre.
“Hapësirat për dialog në funksion të bashkëpunimit që mundëson maksimalizimin e votës së opozitës janë gjithnjë të pranishme. Ajo çfarë ka munguar lidhet me mungesën e vullnetit politik të drejtuesve të Partisë Socialiste, të cilët të tërhequr në bashkëpunim, për arsye jo parimore dhe jo në interes të vendit dhe të opozitës, janë bërë deri tani pengesë për të realizuar bashkëpunimin. Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet konstante në angazhimin e vet, për bashkëpunim parimor dhe në të mirë të realizmit të zgjedhjeve në përputhje të standardeve demokratike dhe europiane dhe që të mundësojnë realisht administrimin dhe leximin e votës ashtu siç e japin qytetarët shqiptarë. Pra, pengesa asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë tek LSI-ja”, deklaroi Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›