Hapat për në Europë
1. Hapi i fundit, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, nuk mund të dihet që tani, as nga Brukseli, kurse nga Tirana, josejo. Janë parathënë tri caqe kohore, nga politikanë të ndryshëm shqiptarë. Më ndjellakeqët (pesimistët) e shtyjnë futjen tonë në BE, aty nga viti 2018. Më ndjellamirët (optimistët) e afrojnë deri në vitin 2011. Mes tyre sillen të ndërmjetmit, të cilët, kthimin plotësisht të Shqipërisë, në Europë, e shohin të mundshëm aty nga viti 2013. Por, veçori dhe spikatje përbën protagonizmi i hapave të kryer.
2. Cili është hapi i parë europian i Shqipërisë? Në mesnatën e 8 dhjetorit 1990, e më pas, në protestat e mëdha, studentët thirrën “Liri - Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”. Paraardhësja e Partisë Socialiste – Partia e Punës, u përpoq t’i përgjakte e dështonte përpjekjet për vendosjen e pluralizmit politik në vend. Partia Demokratike qe e para parti opozitare shqiptare, me kahje europerëndimore, të përcaktuar fortë. Ky protagonizëm i saj mbeti historik.
Ashtu nisi udhëtimi ynë i vështirë i rikthimit në Europë.
3. Çfarë ishte hapi i dytë europian i Shqipërisë? Ky u hodh më 29 qershor 1995. Atëherë ajo u pranua anëtare e Këshillit të Europës. Dy qytete, me tingëllim të ngjashëm, Strasburg dhe Luksemburg, do të mbeten jetemot, në kujtesën e shqiptarëve, sepse ato lidhen me afrimin e saj të sigurtë me Brukselin. 29 qershori i vitit 1995 pati për protagonist qeverinë e Partisë Demokratike dhe aleatët e saj, me Berishëm president, që plotësuan kushtet, më shpejtë se sa disa vende të tjera ish-komuniste të Lindjes, çka u shpërblye me anëtarësimin në Këshillin e Europës. Ky hap nuk u përjetua ngrohtë dhe festiv nga opozita e majtë socialiste, sepse ajo nuk e mbështeti këtë. Kur opozita u pyet nga Europa, nëse Shqipëria duhet të anëtarësohej në Këshillin e Europës, ajo dha përgjigje kundër, e cila mbeti e famshme: “Molla ende nuk është bërë”.
Siç, protagonizmi i së djathtës nuk qe rastësi në hedhjen e hapit të dytë, edhe kundërprotagonizmi i së majtës nuk ishte, poashtu, rastësi. Ajo nuk kishte mundur të shkëputej nga e kaluara e partisë shtet; nuk qe pajtuar me humbjen e pushtetit; ishte e dëshpëruar nga shpërbërja e sistemit komunist; e kishte të vështirë të zëvendësonte internacionalizmin proletar me demokracinë perëndimore; të braktiste shtetin ateist e të kthehej te liria e besimit; të kryhej shpërbërja e ekonomisë së centalizuar dhe të pranohej ekonomia e lirë e tregut.
Nuk përbënte kurrfarë habie që, edhe ky hap, nuk mund të ndërmerrej, kurrësesi, nga e majta.
4. Çfarë ishte hapi i tretë europian i Shqipërisë? Kjo është e tashmja dhe, ajo u bë historike, më 12 qershor 2006, rreth orës 12.45. Atë ditë, Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit. Për politikë të njëmendtë e shpërblim të përbashkët, thuhet arsyetimi se, ajo “ditë e bekuar”, siç e cilësoi kryeministri Berisha, ishte meritë e të gjithë shqiptarëve. Padyshim, edhe pse hedhja e hapit të fundit kërkon përpjekje të tjera të jashtëzakonshme, ky - hapi i tretë, më shumë se sa kthimin e Shqipërisë në kandidate, për ne përbën një terapi të llojit të veçantë, për t’u këndellë e kuptuar që, vonesat dëshpëruese, deri më 12 qershor 2006, duhet të marrin fund për më tej, dhe afruar, sa të jetë e mundur e më shpejtë nga ne, ditën e anëtarësimit të plotë. Shenjë e thirrje e qartë ishte përfaqësimi në Luksemburg, i pozitës dhe opozitës bashkë, përzgjedhur sipas kriterit të pjesëmarrjes më të drejtpërdrejtë në proceset intergruese të vendit. Sidoqë, ngjarja e madhe ka kontribute të përgjithshme, edhe kjo nuk doli nga rrjedhat e deriatëhershme. Partia Socialiste dhe aletatët e saj në qeveri patën nënshkruar, në janar të vitit 2003, hapjen e bisedimeve. Por, nuk e nënshkruan dot Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit. Ata patën krejt kohën e duhur për të qenë firmosësit e hapit të tretë të Shqipërisë, për në Europë. Këtë nuk e bënë dot, sepse më shumë menduan për xhepin vetjak se sa për europianizimin e vendit; ata nuk deshën t’i luftonin tri të këqiat që kapluan shtetin - korrupsionin e lartë, krimin e organizuar dhe trafiqet e mëdha. Qeveritë socialiste, në fund të dy mandateve të plota, u kritikuan ashpër për ngritjen në sistem, të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo e dëmtoi rëndë imazhin e vendit, vonoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, shtoi pasigurinë për investitorët e huaj, thelloi ndarjen pasurore - një kastë u kam shpejtë e si të ishte pasanike e zemrës së Europës, pjesa tjetër zbriti edhe më në varfëri. E majta u ndëshkua në zgjedhje pikërisht për këto. Ajo u largua me votim nga pushteti. Por, në më pak se një vit qeverisje, e djathta e ardhur në pushtet dhe me kryeministër Berishën, rrëmbeu protagonizmin e ndërprerë: Ktheu seriozitetin e qeverisjes; goditi me ligje dhe veprim krimin e organizuar dhe korrupsionin; shfaqi vullnet të palëkundur në ndërmarrjen e reformave të mëdha; shënoi rezultat ekonomik mbresëlënës; plotësoi kushtet që bindën Bashkimin Europian për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit.
Kjo meritë e së djathtës nuk është rastësi. Ajo provoi që, në realitetin shqiptar, ishte më e përgatitur se sa e majta, për udhëtimin tonë drejt Europës. Argumenti më i afër kohor që vërtetoi këtë, është hedhja, po prej saj, edhe e hapit të tretë të Shqipërisë drejt BE.
5. Çfarë përbën hapi i katërt i Shqipërisë për në Europë? Ky është mjaft kompleks dhe i ngjeshur. Parathënie e tij ishte marrja e ftesës për në NATO, më 3 prill të vitit 2008, dhe, siç kanë ecur zhvillimet me shpejtësi, është i sigurtë anëtarësimi i plotë në Aleancën Atlantike të Veriut, në samitin e pranverës, të vitit 2009. Opozita e majtë u bë mbështetëse e këtij akti të madh, por protagoniste e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, domethënë edhe e hapit të katërt, përsëri është Partia Demokratike dhe qeverisja e saj me aleatët. Është për t’u vënë në dukje edhe një (pa)rastësi e rëndësishme: Berisha, kryetari i opozitës së djathtë, që kur ajo u krijua, ishte i pari politikan, në të gjitha vendet e ish-komuniste të Lindjes, që kërkoi anëtarësimin e menjëhershëm të Shqipërisë në NATO, si rast i veçantë. Kjo nuk ndodhi atëherë, por u përsërit më vonë që, ky propozues kurajoz i asaj kohe, është kryeministri i sotëm, dhe mori pjesë në ngjarje, në Samitin e NATO-s, në Bukuresht, nga ku, me emocion të dukshëm, u shpreh në anglisht: “This is a miracle of freedom” (Kjo është një mrekulli e lirisë). Ngjarja që e futi Shqipërinë në paradhomën e Bashkimit Europian, ngërthen dy përbërës të rëndësishëm për të plotësuar hapin e katërt: paraqitja, në fillim të vitit 2009, e kërkesës për statusin e kandidatit të BE dhe përmbushja e kushteve për heqjen e regjimit të vizave me vendet e Europës së Bashkuar.
Partia Demokratike, duke përsëkatërt protagonizmin e vet, në të mirë të popullit shqiptar, e bën Berishën Protagonist të Trefishtë të pazakontë:
Gjatë hapit të parë ishte kryetar i Partisë Demokratike.
Gjatë hapit të dytë ishte President i Shqipërisë.
Gjatë hapit të tretë dhe të katërt Kryeministër i vendit.
Pa asnjë dyshim, është një protagonizëm i lakmuar nga çdo politikan i rëndësishëm.
6. A përfundon këtu protagonizmi i së djathtës? Jo. Ajo ndodhet përpara një fati dhe detyre historike të papërfunduar. Nëse ajo do të mund të përsëriste fitoren edhe për një mandat të dytë, do të ishin katër vite të tjerë të saj, të cilat do të ceknin vitin e mundshëm 2013. Nëse anëtarësimi do të bëhet përtej atij viti, mandati i dytë do të zgjidhte detyrat vendimtare të anëtarësimit të sigurtë pak më vonë. Por, nëse anëtarësimi do të kryej në fund të mandatit të dytë, atëherë protagonizmi i Partisë Demokratike do të bëhej i pakonkurueshëm, sepse ajo do të përmbyllte gjithë periudhën e madhe, që nga thirrja “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa” deri në antarësimin e plotë në BE. Nëse nga zgjedhjet e ardhshme, e majta do të mbetej përsëri në opozitë, kjo nuk do ta linte atë anash këtij misioni të jashtëzakonshëm. Ajo do të bëhej pjesë e tij, edhe duke dhënë prova se, shqiptarët nuk meritojnë asnjë vonesë për në Bashkimin Europian.