E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: kërkojmë bashkëpunimin e opozitës për kufizimin e imunitetit

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i bëri thirrje opozitës që me fillimin e sesionit të ri në Kuvend të bashkëpunojë për miratimin e nismës për "kufizimin e imunitetit" të deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë që e gëzojnë atë me ligj.
"I bëj apel opozitës për konsensus në miratimin e p/ligjit "Për kufizimin e imunitetit" të deputetëve dhe të gjithë atyre që e gëzojnë atë me ligj. Pavarësisht temperaturave politike në ngritje, me afrimin e fushatës elektorale, opozita duhet të avancojë me bashkëpunimin e saj, siç ndodhi me miratimin e Kodit Zgjedhor, ligjit "Për Prokurorinë" etj", tha deputeti Patozi.
Sipas tij, "pas një mbyllje shumë dinjitoze që parlamenti i bëri sesionit të kaluar, ky nuk do të ishte një zhvillim i papritur ose thjesht pragmatist, por një rrjedhojë logjike e një klime të re të krijuar tashmë nga klasa politike në Shqipëri. Përfundimi i nismës "Për kufizimin e imunitetit" është një sfidë që do t'i bënte nder parlamentit. Kufizimi i imunitetit të deputetëve do të vazhdojë dhe me imunitarë të tjerë, të cilët në mënyrë krejt të panevojshme kanë një koracë, e cila i distancon ata nga qytetarët e këtij vendi", nënvizoi kryetari i grupit parlamentar demokrat.         

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›