Berisha: Qeveria është e gatshme të ndërtojë me fondet e Buxhetit të Shtetit Unazën e Madhe të Tiranës
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi të martën, se "Qeveria do të bëjë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit për unazën e madhe të Tiranës, dhe në rast se Bashkia nuk do të ketë financime për ndërtimin e saj, atëhere ajo do të ndërtohet nga buxheti i shtetit".
Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, Kryeministri Berisha u ndal te problemi i ndërtimit të unazës së madhe të Tiranës, të cilën e konsideroi si një domosdoshmëri për kryeqytetin.
"Unaza do të ndërtohet dhe Bashkisë së Tiranës do t'i ofrohet mundësia për shpronësime. Fondet e Bashkisë për të marrë kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme, megjithëse informohet se ka një departament taksambledhësish prej 300 vetash, aq sa ka edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri", vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Duke u nisur nga kjo performancë fiskale, Kreu i Qeverisë u shpreh se "llogaritet që Bashkia e Tiranës mund ta shlyejë një kredi së paku për 125 vjet". "Nuk ka asnjë institucion bankar dhe financiar që mund të ofrojë kredi me një afat mbi një shekullor, ndaj nuk ka shanse që Bashkia e Tiranës të përfitojë një kredi. Ne e bëmë ligjin e kredimarrjes së pushtetit vendor, por dua të theksoj se në këtë rast ligji është i pashpresë", tha më tej Kryeministri.
Konform premtimit të dhënë, Kryeministri theksoi se "Qeveria do të bëjë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit", sikundër sipas tij, "Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër tenderimin sa më të shpejtë dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e saj, në rast se Bashkia nuk është e përshtatshme për t'u kredituar sepse nuk jep garanci".
Kreu i Qeverisë deklaroi se "projekti për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës nuk do të shtyhet, por do të nisin negociatat me Bashkinë". "Projekti është i madh ndaj do të fillohet me segmentet më emergjente, sepse ai si projekt shkon së paku në 300 milionë euro", tha në përfundim Kryeministri Berisha.