E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Incidenti në Poliçan, shkak mosrespektimi i rregullave teknike”

Ministria e Mbrojtjes sqaron mbi incidentin në Kombinatin Mekanik

TIRANE - Mëngjesin e djeshëm në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, në afërsi të Repartit të Poligonit ka ndodhur një aksident shumë i rëndë me pasojë humbjen e jetës së punonjëses së kësaj fabrike, Suzana Kapxhiu, 45 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes Ministria e Mbrojtjes ka komunikuar se ngjarja me pasojë vdekjen e një personi, ka ndodhur si pasojë e ndezjes së një zjarri jashtë ambienteve të Repartit të Poligonit nga 6 punonjës të këtij reparti, përpara se të nisnin punën.
Zëdhënësja e ministrisë Albana Mustafaraj, deklaroi se për ndezjen e këtij zjarri punonjësit kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në pjesën anësore të kokës.
“Sipas informacioneve të ardhura nga drejtoria e Kombinatit të Poliçanit në këtë repart, që prej vitit 2004, kryhet çmontimi i djegoreve të shtimjeve të kalibrit 57 mm. Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi (përgjegjës poligoni), Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj. Të gjithë punonjësit prej një muaji ishin duke pastruar të gjithë territorin nga mbeturinat e këtij demontimi.
Ndërsa ky proces kryhej prej 4 vitesh, këta punonjës kanë pasur një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë lloj pune”, theksoi ajo.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se ky aksident nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij, si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit duke mosrespektuar rregullat e sigurimit teknik në punë.
Menjëherë pasi është raportuar informacioni për këtë ngjarje ministria e Mbrojtjes ka njoftuar Policinë dhe Prokurorinë, të cilat kanë nisur hetimet për të nxjerrë edhe shkakun e këtij aksidenti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›