LUFTETARI MORAL I SHEKULLIT TE KALUAR
1.
"Më 12 prill të vitit 1999 mora pjesë në takimin Këshillit të NATO-s në Bruksel dhe po këtë ditë mbusha 51 vjet. Ja pra, ku qëndroja në vendin më të shenjtë të NATO-s, në sallën e Këshillit, isha ministër i Jashtëm gjerman, po bëja luftë dhe kisha ditëlindjen. Robin Cook më dorëzoi një kartolinë urimi, me nënshkrimet e gjithë kolegëve dhe kolegeve, që ishin të pranishëm në Këshillin e NATO-s. Në njërën anë, pothuajse isha i prekur nga ky gjest, por në anën tjetër, i gjithë ky skenar kishte diç joreale në vete. Ditëlindje, luftë, Këshilli i NATO-s, ku në djall kisha përfunduar? Më lindën ca dyshime të lehta në vete. Biografia ime filloi të lëvizte para syve të mi: luftëtar i rrugëve, taksist, shitës i librave dhe në fund pacifist i gjelbër. Si përputheshin të gjitha këto me këtë ditë?".
Pyetjen ia parashtron vetes Joshchka Fischer, duke qenë ministër i Jashtëm gjerman, në kohën e bombardimeve të NATO-s, që çliruan Kosovën. Pyetja shënohet në librin e tij "Vitet kuq-gjelbër" të sapodalë shqip (KOHA, Prishtinë, 2008), e libri mund të lexohet edhe si një udhëzim i shkurtër i kredos politike të Fischerit, të zbërthyer jo në abstraksion, por në konkretësinë e ashpër të luftës.
Citati i sipërm e përshkruan në masë të madhe njërin prej tipareve të theksuara të Fischerit: introspeksionin, vënien e veprimeve politike në peshoren e bindjes morale. E, peshorja e tij mund dikujt t‘i duket, por vetëm në dukje të parë, si e një farmacisti në pazar bagëtish, sepse ka të bëjë dy qëndrime diametralisht të kundërta: njëzet vjet veprimi në një parti të themeluar nga lëvizja pacifiste, antibërthamore në Gjermani, e edhe kjo e rrjedhur nga demonstratat e vitit 1968, kundruall nevojës së marrjes së përgjegjësisë për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
2.
Dilema për Fischerin, në formë tronditjeje, kishte filluar që më herët, më 1993, kur në 25-vjetorin e demonstratave studentore të vitit 1968, shoku i tij i barrikadave të rrugëve, Deni i Kuq, gjegjësisht Daniel Cohn-Bendit (ende prijës i të Gjelbërve të Evropës) foli në Frankfurt haptazi për nevojën e ndërhyrjes ushtarake në Bosnje, për ta penguar luftën që po fillonte atje. Ushtarët gjermanë në Bosnje, aty ku SS kishte likuiduar aq shumë njerëz vetëm disa dhjetëvjetësh më parë, pyeti më vete Fischer?
Gjashtë vjet më vonë, brenda NATO-s do të duhej të fitonte kredibilitet prej një njeriu që i qëndron besnik luftës, e brenda Kongresit të të Gjelbërve në Bielefeld, duhet të mbrojë besimin e tij, i cili përmblidhet në dy refuzime: kundër luftës, por edhe kundër Aushvicit. Gjegjësisht, se të qenit kundër luftës nuk të liron nga detyra për të mbrojtur të pafuqishmit, të përndjekurit, të shtypurit - ata që gjenden buzë shkatërrimit fizik.
E, këtu qëndron edhe pika më e fortë e arsyetimit të tij të luftës. Gjermanët e gjeneratës së tij janë rritur pas Luftës së Dytë Botërore me ndjenjen e përgjegjësisë kolektive për tmerrin e asaj lufte. Kjo ndjenje ka prodhuar, siç do të tregojë vetë, përgjegjësinë për integrimet evropiane (vizita e tij e parë si ministër i Jashtëm, krahas tradicionalisht Londrës e Parisit, do t‘i bëhej për herë të parë simbolikisht dhe Polonisë), dhe përcaktimin e fortë kolektiv kundër luftës. Brenda qëndrimit kundër luftës, shpjegon Fischeri bindjen e gjeneratës së tij (të cilën do ta artikulojë me vite të tëra shoku i gjeneratës së 68-shit, ministri i tanishëm Kouchner) për detyrën e ndërhyrjes humanitare, për detyrën e të shpëtuarit të njerëzve nga përndjekja kolektive.
3.
Debati moral i Fischerit është pjesë e ambientit politik në të cilin është rritur. Përgjatë njëzet viteve të aktivizmit politik në një parti, si ajo e të Gjelbërve, e cila është prodhim i lëvizjeve të ndryshme pacifiste, ai do të merrte pjesë në ndërtimin e qëndrimeve të kësaj partie, zgjedhje pas zgjedhjesh, situatë pas situate. Dhe, në prag të asaj që mund të ishte një kthesë historike, pra që të Gjelbërit për herë të parë të hynin në një qeveri federative, më 1998, debati në partinë e tij ishte ndarë pothuajse dysh. Në njërën anë, ishte e majta tradicionale brenda partisë, e cila do të dilte para elektoratit me kërkesën që litri e benzinës të bëhej 5 marka, në mënyrë që të mbrohej ambienti, e njëkohësisht të humbisnin të gjitha votat e gjermanëve lindorë, të cilët sapo kishin zbuluar komfortin e automobilit. Në anën tjetër ishin realistët, sikur ai, që mendonin se do integruar pikat themelore të besimit të Gjelbër në një kontratë qeverisje në koalicionin me Socialdemokratët (andaj dhe titulli Kuq-gjelbër).
I sapodalë, freskët nga debati i kësaj natyre, për apo kundër benzinës prej 5 markash gjermane, Fischer do të ballafaqohet me një realitet brutal. Në shtator të vitit 1998, krahas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit, do të fillonin obligimet qeveritare ende pa e marrë detyrën qeveria. Në Beograd, ambasadori amerikan Holbrooke negocionte me liderin serb Milosheviq për një ndërprerje luftimesh në Kosovë, dhe kur ky nuk bindej, Holbrooke kërkoi nga NATO të jepte pëlqimin politik për ACTORD, autorizimin teknik për sulm kundër Serbisë. Për këtë nevojitej pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare. Gjermania, e ballafaquar për herë të parë me mundësinë teorike të dërgimit të ushtarëve të saj në luftë, pas Luftës së Dytë Botërore, tregoi fuqinë e demokracisë së saj. Kancelari në largim, Kohl, dhe qeveria e tij ftuan qeverinë e ardhshme për të marrë një vendim që teknikisht i përkiste kësaj qeverie, por do t‘i binte barrë të ardhmes: vendimin që forcat ushtarake gjermane të viheshin në dispozicion për një luftë eventuale të NATO-s kundër Serbisë.
Kontrasti me utopisë së debatit për benzinën dhe dramës së realitetit nuk mund të kishte qenë më i madh.
4.
Gjatë bombardimeve të NATO-s, që kishin filluar me të gjitha gabimet dhe dështimet e mundshme, shpjegon ai, u rrit presioni i brendshëm në Gjermani për të ndërprerë luftën. Ky presion, madje, u manifestua jo vetëm te të Gjelbërit, por edhe te socialdemokratët e kabinetit qeveritar. Në një gjendje të tillë, kancelari Schroeder, rrëfen autori, tregoi forcën e prijësit: u shpjegoi të gjithëve në kabinet se një qëndrim i luhatur i Gjermanisë do të prishte Aleancën Veriatlantike, dhe kjo ishte në kundërshtim me interesin thelbësor shtetëror gjerman. Qëndrimi i tij, "si shkëmb në stuhi" do ta mbante të palëkundur qëndrimin gjerman, të cilin do ta përfaqësonte me argumentin moral Fischeri.
Për lexuesin, atë shqiptar në veçanti, gjithsesi ia vlen përkujtimi i këtyre dy shtyllave gjermane që mbështetën çlirimin e Kosovës: interesi i Aleancës përballë sfidës së Milosheviqit, nga njëra anë, dhe obligimi për mbrojtjen nga gjenocidi, nga ana tjetër.
Këto dolën në pah (me pak referencë në libër) gjatë vizitës së parë që i bëri Fischer delegacionit kosovar në Rambouillet. I lodhur nga një rrugëtim i gjatë nëpër Afrikë, i ardhur pas një takimi pune me kolegët tjerë të Grupit të Kontaktit, ministri gjerman nuk do të mund të besonte se si disa prej kosovarëve, madje me sjellje harbute, po i prishnin urat e tyre me përkrahësit perëndimorë. Aty, në Kështjellë, në mesin e disa miqve gjermanë dhe të bashkanëtarit të delegacionit, Blerim Shalës, do të më shprehte habinë: "Si është e mundur që shokët tuaj të mos shohin nga fryejnë erërat e historisë, se si ato fryjnë për velat tuaja?".
Pyetja mund të mbetet ende relevante. Aq sa edhe konstatimi se më vjen jashtëzakonisht mirë që Fischer dhe gjenerata e tij që çliruan Kosovën, përtej përvojës me disa prej prijësve kosovarë, mbetën të qëndrueshëm në besimin e tyre moral për kauzën e obligimit të ndërhyrjes për mbrojtje nga gjenocidi dhe për nevojën e ruajtjes së Aleancës Veriatlantike si garantuese të integrimit paqësor të Evropës.