LZHK: 6 departamente për qeverinë hije
14/12/2004 Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka konstituuar së fundi 6 departamente, duke krijuar kështu dhe qeverinë hije. Gjithashtu, kjo lëvizje u ka kërkuar të gjitha degëve në rrethe që të paraqesin më shumë se një kandidaturë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burimet kanë bërë të ditur se, deri më tani, kanë përfunduar përzgjedhjet e para në 90 për qind të zonave, të cilët emrat do t'i paraqesin në kryesinë e LZHK-së për një tjetër përzgjedhje. Sipas kritereve të përcaktuara më parë, kandidatët duhet të kenë domosdoshmërisht arsimin e lartë, ndërsa do të kenë më shumë pikë ata që kanë mbrojtur doktoraturën apo mastera të ndryshëm. Kriter i dytë është dhe vlerësimi që kanë zgjedhësit e zonës e tyre përkatëse. Nga ana tjetër është theksuar se konkurrentët nuk do të jenë e nevojshme që të kenë qenë anëtarë të LZHK-së, por do të jetë e nevojshme që ata të mbështesin programin e lëvizjes. Për këtë, grupet e punës do të verifikojnë nëse konkurrentët e përdorin LZHK-në si katapultë për të marrë mandatin e deputetit, apo e mbështesin realisht programin e saj. Në përfundim të përzgjedhjes së kandidatëve, LZHK ka vendosur në projekt ngritjen e stafeve të punës në çdo zonë zgjedhore, ndërsa çdo deputet do të kenë qendrën e tij të punës. Nga ana tjetër, LZHK ka përfunduar dhe konstituimin e strukturave të kryesisë. Sipas burimeve në LZHK, kanë nisur funksionimin 9 departamente, në të cilët tre do të jenë organizativ. Kështu veç departamentit për Marrëdhëniet me Mediat, Organizimin dhe atij për Çështjet Elektorale, 6 departamentet e tjerë mund të cilësohen dhe qeveria hije e kësaj partie. Kështu Departamentet e Ligjeve, Politikave të Brendshme, Politikave Ekonomike, Politikave të Jashtme, Çështjeve Sociale dhe Sigurisë Kombëtare do të japin projektet e tyre, duke i bërë opozitë qeverisë. Në çdo departament është vendosur një kryetar, një nënkryetar dhe 10 anëtarë.