E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqiptarët, pesimist për kohën e integrimit në BE

14/12/2004  Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka filluar të konsiderohet shumë më i paarritshëm prej shtetasve. Sipas një studimi të organizatave ndërkombëtare, në krahasim me dy vjet më parë, shqiptarët janë 10 për qind më pesimistë për afatet se kur vendi do të jetë pjesë e strukturave perëndimore. Duke iu referuar një sondazhi të bërë nga Instituti shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, i cili ka përfshirë administratën publike, komunitetin e biznesit, OJF dhe media, rezulton se është ulur besueshmëria se brenda një afati pesëvjeçar Shqipëria do të jetë pjesë e strukturave të BE-së. Ky sondazh, në krahasim me dy vjet më parë, ka treguar se shqiptarët tashmë integrimin e vendit nuk e përcaktojnë si një proces të lehtë, por si diçka që do të vijë në bazë të kushteve, që duhet të plotësojnë. Arsyet kryesore të këtij pesimizmi janë vlerësuar politizimi nga qeveria dhe partitë politike të kësaj çështjeje. Duke e vënë si kryefjalë në çdo deklaratë politike dhe duke mos realizuar kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, politika shqiptare nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka larguar vëmendjen e shqiptarëve nga Perëndimi. Nga ana tjetër BE ka përcaktuar shumë qartë se Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit, që është hapi i parë drejt integrimit, varet nga mbarëvajtja e procesit zgjedhor i vitit 2005.

Deklarata

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ricard Xhons, ka përsëritur sërish kërkesën për institucionet shqiptare. "Nëse Shqipëria do të mbajë zgjedhje të lira, atëherë Bashkimi Evropian do të jetë i kënaqur. Shtetet anëtare të BE-së dhe ato që do të anëtarësohen duhet të kenë demokraci totale në vendet e tyre. Nëse Shqipëria do ta demonstrojë këtë gjatë zgjedhjeve, ajo shumë shpejt do të jetë pjesë e Evropës", tha Xhons. Gjithashtu, ai ka kërkuar nga faktori i politikës shqiptare një bashkëpunim në procesin e integrimit të vendit, pasi, sipas tij, "aktorët kryesorë të politikës kanë çelësin e Shqipërisë në dorë". Ndërkohë, ambasdori i Këshillit të Evropës në Shqipëri, Luts Saltzman, është shprehur i kënaqur për faktin se të gjithë shqiptarët e dëshirojnë integrimin në BE. Madje, ai është shprehur se po u zhvillua një referendum për integrimin ose jo në BE, shqiptarët do të ishin plotësisht dakord. Megjithatë, studimi i ardhshëm mbi këtë pikë do të zhvillohet vetëm pas dy vitesh. Ndërsa janë zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, që do të tregojnë se sa hapa ka hedhur Shqipëria.

Angazhimet

Qeveria shqiptare dhe vetë spektri politik, që vepron në vend, tashmë i dinë detyrat e shtëpisë. Integrimi i vendit më shumë se plotësim standardesh ekonomike, sociale etj., është një proces që varet nga vullneti i politikanëve shqiptarë. Negociatat që Shqipëria po zhvillon me përfaqësues të BE-së kanë raundin e tyre të fundit teknik në muajin mars të vitit 2005. Kështuqë, nëse procesi i zgjedhjeve nuk zhvillohet i lirë, atëherë BE do të mbylli dyert për Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›